E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Mbështesim dialogun politik, jo retorikën përçarëse

17-10-2011 / Gazeta 55

SHBA ka deklaruar dhe njëherë mbështetjen e pakufishme për vendin tonë në përmbushjen e aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Deklarata është bërë nga i ngarkuari më punë në misionin e SHBA në OSBE, Gary Robbins, në përgjigje të fjalimit të zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto në sesionin e Këshillit të përhershëm të OSBE më 14 tetor. Robbins duke falënderuar ministrin Haxhinasto për fjalën e tij, vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes SHBA dhe Shqipërisë si në Tiranë, në Uashington në Vjenë e gjithandej. Robbins theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në dy dekadat e fundit në forcimin e demokracisë. Duke iu referuar zgjedhjeve të 8 majit, zyrtari i lartë amerikan tha se raporti përgjithësisht pozitiv i ODHIR lidhur me këto zgjedhje dëshmon progresin e Shqipërisë, por raporti bën dhe disa vërejtje në këtë proces. Ndaj SHBA, inkurajon implementim të plotë të rekomandimeve të raportit të ODHIR, veçanërisht të amendamenteve për Kodin Elektoral në mënyrë që të adresohet vlefshmëria e votave në kutitë e gabuara, adoptimi i procedurave për përfshirjen e këtyre votave në tabelën e rezultateve etj. Gjithashtu në mesazhin e tij z. Robbins inkurajoi partitë politike në Shqipëri të përmbahen nga retorika partiake përçarëse, në favor të dialogut praktik e politik për të rritur besimin te populli shqiptar në sistemin e tyre demokratik. Më tej, Robbins vlerësoi dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon. Lidhur me Kosovën, zyrtari i lartë amerikan në OSBE theksoi se SHBA mbështet një Kosovë të pavarur, demokratike multi-etnike dhe inkurajon dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga BE për të gjetur zgjidhje që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve. “Dhuna e kohëve të fundit është e papranueshme, theksoi më tej”- Robbins.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›