SHBA: Na vjen keq që Prishtina u detyrua të vendosë masat

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit Thomas Countryman, tha se vendimi i qeverisë së Kosovës për ndalimin e importeve nga Serbia, ishte rrjedhojë e bllokadës së mëhershme tregtare që Serbia kishte vendosur kundruall Kosovës. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Countryman tha se Shtetet e Bashkuara do të dëshironin të shihnin një qasje legale të të dyja palëve ndaj kësaj çështjeje.
“Na vjen keq që qeveria e Kosovës ishte e detyruar të vendosë masa të ndërsjella në marrëdhëniet tregtare me Serbinë. Nuk do të dëshironim të shihnim një qasje të tillë. Në të njëjtën kohë duhet të shohim të vërtetën se Serbia ka filluar një bllokadë të tillë ndaj mallrave të Kosovës para më shumë se dy vjetësh. Edhe ajo bllokadë është jolegale kundruall marrëveshjes për tregti të lirë në Evropën qendrore, të cilën Beogradi e ka nënshkruar vjet më parë dhe nuk lejon bllokadë të tillë as nga ana e Serbisë e as nga ana e Kosovës. Duam të shohim thjeshtë një qasje legale të të dyja palëve”, tha Countryman.
Ai tha se edhe shtyrja e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për muajin shtator, ka të bëjë me çështjen e bllokadës. Vendimi për të anuluar bisedimet e kësaj jave ishte rrjedhojë e mosgatishmërisë së qeverisë së Serbisë që të heq bllokadën ndaj mallrave të Kosovës dhe për këtë arsye nuk kishte mundësi për marrëveshje të reja gjatë kësaj jave.
“Megjithatë, ne jemi optimistë se edhe Serbia edhe Kosova, mund të gjejnë zgjidhje praktike për çështjet e jetës së përditshme. Ky është një shembull i mirë. Nëse do të jetë e mundur që të ketë një treg të lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë atëherë mund të kemi sukses edhe për çështjet më të mëdha të këtyre bisedimeve”, tha Countryman.
Ai nënvizoi se është shumë e rëndësishme që Beogradi të përmbushë reformat e brendshme dhe të ketë marrëdhënie sa më të mira më fqinjët, por, sipas tij, po aq e rëndësishme është për evropianët që një vend që synon statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian të përmbushë detyrimet e tij. Ai e vlerësoi si shembull të mirë që Beogradi përmbushi detyrimin ndaj Gjykatës së Hagës, duke arrestuar të akuzuarin për krime lufte, Goran Haxhic. Por, ai tha se ishte shembull shumë negativ që Beogradi tash e dy vjet e gjysmë shkel detyrimet ndaj CEFTA-s, pa arsye legale. Ai ritheksoi rëndësinë që kanë bisedimet aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ky dialog nuk duhet të krijojë kompromis të madh politik as nga ana e Beogradit as nga ana e Prishtinës, por duhet të sjellë dobi për të dyja palët. Të gjithë ata që e kritikojnë qoftë opozita në Serbi qoftë opozita në Kosovë, tha Countryman, këtë e shfrytëzojnë vetëm nga qëllimet politike dhe nuk shohin se çfarë mund të jetë pozitive dhe që mund të ndihmojë një jetë më të mirë edhe të serbëve edhe të shqiptarëve në Ballkan”.