Veteranët shpallin të përfunduar grevën

Protesta e paralajmëruar nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët sot kanë hyrë në ditën e 61-të të grevës me kërkesë të vetme për miratimin e Ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së, pas një vendimi të marrë nga Qeveria e Kosovës vetëm pak minuta para fillimit të protestës, ka bërë që grevistët të shndërrojnë protestën në festë dhe ta shpallin të përfunduar grevën.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme, kabineti qeveritar i ka dhënë mbështetje Projektligjit për vlerat e luftës së UÇK-së.
Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se ky ligj është pritur për 12 vjet, mirëpo përpjekje për miratimin e tij. Ai ka thënë se ky është riprocedim i ligjit nga ana e Qeverisë në Kuvend, pasi që ai ishte proceduar gjatë mandatit të kaluar, por është kthyer në Qeveria pas shpërbërjes së Kuvendit, që erdhi si pasojë e rrethanave të reja të krijuara pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Lajmin për miratimin e Ligjit nga Qeveria e vendit, grevistëve ua kumtoi shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili lajm i gëzoi grevistët, të cilët anuluan protestën dhe sipas kryetarit të Këshillit grevist, Xhevdet Qeriqi, protesta po shndërrohet në festë, ndërsa e shpalli të përfunduar grevën, raporton KosovaPress.