E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Në Libi po zbatohet me sukses ndalimi i fluturimeve

Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se zona e ndalim-fluturimit është “plotësisht në fuqi” mbi Libi pas rreth dy ditë sulmesh, ndërkohë që udhëheqësi libian Moamar Gadafi është zotuar për “një luftë të gjatë” kundër forcave të huaja.

Admirali Majk Mullen, Shef i Shtatmadhorisë, tha në një intervistë në televizionin amerikan dje se asnjë nga avionët e qeverisë libiane nuk ka fluturuar në hapësirën ajrore të vendit që nga fillimi i operacionit ajror kundër forcave ajrore dhe tokësore libiane të shtunën.

Në Pentagon, nën-admirali Uilliam Gortni tha se sulmet e koalicionit me raketa kruiz dhe nga ajri kanë neutralizuar mbrojtjen ajrore të Gadafit, kanë sprapsur ofensivën e ushtrisë drejt kryeqendrës së kryengritësve, Bengazi, dhe kanë çoroditur forcat a tij.

Shpërthime të fuqishme goditën kryeqytetin e Libisë, Tripoli, mbrëmë vonë, duke përfshirë edhe një në zonën rezidenciale të Gadafit. Por nën-admirali Gortni tha se vetë udhëheqësi libian nuk ka qënë objektiv i sulmeve. Zjarri i artilerisë kundërajrore shpërtheu përsëri në Tripoli pas rënies së natës.

Zona e ndalim-fluturimit e autorizuar nga Kombet e Bashkuara ka për qëllim mbrojtjen e civilëve libianë nga sulmet e forcave besnike të Gadafit, i cili po përpiqet të shtypë kryengritjen një mujore kundër regjimit të tij 42 vjeçar.

Sulmet pranë qytetit lindor të Bengazit kanë shkatëruar dhjetra mjete ushtarake dhe trupa të forcave pro Gadafit. Banorët thanë se sulmet ajrore u kryen në kohën e duhur për të parandaluar masakrat nga trupat pro Gadafit, të cilat filuan sulmin mbi qytet të premten dhe mbërritin në periferitë e tij në shtunën.

Një zëdhënës i ushtrisë libiane njoftoi për një armëpushim që do të hynte në fuqi mbrëmë vonë. Libia kishte njoftuar për një armëpushim të ngjashëm të premten, por forcat e Gadafit vazhduan ofensivën drejt Bengazit. Më herët dje, zoti Gadafi kërcënoi se do t’i angazhojë fuqitë perëndimore në një “luftë të gjatë”.

RUSIA DHE KINA KUNDËR

Sulmi i Perëndimit ndaj Libisë është kundërshtuar nga Rusia dhe Kina, që kanë shprehur keqardhje dhe Bashkimi Afrikan ka bërë thirrje që t’i jepet fund.

Edhe Lidhja Arabe e kundërshtoi sulmin, duke thënë se ai duket se po i tejkalon kufijtë e parashikuar dhe se po krijon një gjendje të rëndë mes civilëve.

Si Kina, edhe Rusia, abstenuan gjatë votimit të rezolutës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që autorizoi përdorimin e të gjitha mjeteve të nevojshme, me synim mbrojtjen e civilëve libianë dhe vendosjen e armëpushimit.

Papa Benedikti bëri një deklaratë, ku i bën thirrje forcave ushtarake dhe udhëheqësve politikë të kujdesen për sigurinë e qytetarëve libianë dhe të lejojnë dërgimin e ndihmave humanitare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›