PS protestë për listat zgjedhore, Nikolli: Po shkelet kodi

Partia Socialiste ka protestuar sot përpara drejtorisë së përgjithshme të gjendjes civile për shkeljet që sipas saj po bëhen me listat zgjedhore.
Në një prononcim për “Ora News” kryetarja e minibashkisë numër 1 në kryeqytet Lindita Nikolli theksoi se PS-ja ka prova se po shkelet kodi zgjedhur duke regjistruar në Tiranë persona të cilët vijnë nga qytete të tjera.
Në shumë minibashki po bëhen regjistrime të personave që vijnë nga qytete të tjera me qëllimin për të vjedhur zgjedhjet dhe s`ka asnjë pengesë nga sistemi i gjendjes civile që të mos i lejuar ata” theksoi Nikolli.
Ajo gjithashtu theksoi se PS-ja nuk do të lejojë që asnjë votues i sjellë me forcë me një kontratë fiktive në dorë të bëhet pjesë e manipulimeve për zgjedhjet.
“Ne kemi shprehur që do të përdorim të gjitha mjetet për të ndalur manipulimet dhe po përgatiten nga juristët e PS-së dosjet për të bërë edhe kallëzim penal për këto shkelje” theksoi Nikolli.
Gjithashtu Nikolli theksoi se PS-ja kërkon që t i vihet në dispozicion lista zgjedhore deri në datën 8 mars ndërsa thekson se shpreson se ndryshimet e bëra pas kësaj date të mos kenë pasoja në listën përfundimtare të zgjedhjeve.