E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Ngërçi politik pengon integrimin e Shqipërisë

“Tashmë duhet punë e mëtejshme për të avancuar në aspiratat që ka Shqipëria për t’u integruar në BE”, u shpreh Kelli. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara përshëndesin vendimin e Partisë Socialiste për t’u kthyer në Parlament, por Uashingtoni i bën thirrje PS-së të përmbushë angazhimin e saj për një pjesëmarrje të plotë dhe aktive në Parlament, si dhe i bën të njëjtën thirrje koalicionit qeverisës të krijojë një klimë politike më gjithëpërfshirëse.

Ambasadori amerikan theksoi se janë ndërmarrë disa hapa në drejtimin e duhur sai përket luftës ndaj korrupsionit në Shqipëri, si përputhja e legjislacionit shqiptar me atë ndërkombëtar për anti-korrupsionin, si dhe vendosja e sistemit elektronik të tenderimeve.

“Shqipëria - shtoi ai - ka arritur përparime në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe të dy vendet janë të angazhuara t’i forcojnë më tej lidhjet mes qeverive dhe popujve të tyre. Urojmë popullin shqiptar për arritjet e fundit dhe sidomos liberalizimin e vizave për vendet e zonës Shengen në dhjetor të vitit 2010”.

Sipas diplomatit amerikan “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri luan një rol të rëndësishëm në promovimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor, e në mënyrë të qartë shërben si një platformë për dialog ndërmjet partive të ndryshme”.

“Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të angazhuara të ndihmojnë Shqipërinë për të mbështetur një demokraci plotësisht funksionale”, përfundoi diplomati amerikan. /Start/

                                                                                             2011-09-09 19:37
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›