SHBA: Nuk ka ultimatum për Turqinë
Shtëpia e Bardhë sqaroi se "nuk ka dhënë asnjë lloj ultimatumi" për Turqinë lidhur me pozicionin e Ankarasë kundrejt Izraelit. Lajmin për anulimin e shitjeve të armëve amerikane Turqisë e publikoi e përditshmja financiare "Financial Times", sipas të cilës presidenti i SHBA-së, Barak Obama, "E kishte paralajmëruar personalisht kryeministrin turk Recep Taip Erdogan për këtë çështje". Sipas gazetës, "nëse Ankaraja nuk do të ndryshonte qëndrim për Izraelin dhe Iranin, nuk do t'i merrte armët amerikane që synonte të blinte". Nëpërmjet zëdhënësit të saj Bill Burton, Shtëpia e Bardhë e përgënjeshtroi zyrtarisht lajmin e publikuar nga "Financial Times" duke theksuar se midis Uashingtonit dhe Ankarasë "po zhvillohet një dialog dhe nuk ka asnjë ultimatum". Sipas "Financial Times", Obama, e kishte paralajmëruar kryeminsitrin turk, se nëqoftëse Ankaraja, nuk do të zbusë tonet me Izraelin dhe me Iranin, do ta ketë të vështirë të sigurojë armë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fakt Ankaraja kërkon të blejë artileri të rëndë nga Amerika për t'i përdorur kundër bazave të separatistëve kurdë të PKK-së, bënte të ditur " Financial Times ".