E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA/ Obama miraton ligjin për shpëtimin e vendeve të punës

Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama ka miratuar një legjislacion për të cilin thotë se do të shpëtojë 300 mijë vende pune për mësuesit, policët dhe punonjësit e sherbimeve publike. Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan u mblodh në një sesion emergjent për të miratuar paketën prej 26 miliard dollarësh.
Presidenti Obama dhe demokratët thanë se kjo ishte e nevojshme para se fëmijët të kthehen në bankat e shkollës duke përjashtuar këtu mësuesit që kanë humbur vendet e punës si rezultat i krizave buxhetore të shteteve të goditura rëndë nga recesioni.

Obama bëri thirrje për miratimin e ligjit në Senat, duke thënë se legjislacioni të cilin ai tashmë e ka nënshkruar në ligj, do të shpëtojë vendet kritike të punës për punonjësit e sektorit publik, mësuesit, policët, zjarrëfikësit, infermieret dhe të tjetë gjatë vitit që vjen.
Ai u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se shkollimi dhe siguria e komuniteteve nuk duhet të jenë një çështje politike.
Legjislacioni ofron 10 miliard dollarë për shtetet për shpëtuar vendet e punës për 160 mijë mësues. Po ashtu cakton 16 miliard dollarë për të mbuluar shpenzimet mjekësore për të varfërit.
Shtetet do të kenë para për të mbajtur në punë rreth 150 mijë policë dhe punonjës të tjerë të sektorit publik, u shpreh Obama.

Udhëheqësi i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, John Boehner, thotë se legjislacioni në fjalë është ndër politikat më të papërgjegjshme që ai ka parë . Ai thotë se populli amerikan kërkon përgjegjësi të vërtetë fiskale në Uashington dhe se qeveria federale nuk mund të përballojë stimuj të kotë shpenzimesh apo të përkujdeset për interesa të veçanta.
Po ashtu të martën, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një legjislacion për sigurinë e kufijve prej 600 milion dollarësh për shtimin e sigurisë dhe vëzhgimit në kufirin mes Amerikës dhe Meksikës. Senati, i cili miratoi një masë të ngjashme javën e kaluar, do ta marrë për shqyrtim masën kur të fillojë punën muajin që vjen.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›