SHBA: Pakistani ka bërë pak progres kundër militantëve

Raporti më i ri i Shtëpisë së Bardhë thekson se Pakistani ka bërë pak progres, gjatë vitit të kaluar, në luftimin e militantëve dhe duket se autoritetet e këtij vendi “nuk kanë rrugë të qartë për t`i shkaktuar disfatë kryengritjes” në Pakistan.
Në raportin dërguar Kongresit, që u publikua mbrëmë, gjithashtu thuhet se situata e sigurisë në disa pjesë të rajoneve kufitare të Pakistanit afër Afganistanit, aktualisht është përkeqësuar.
Në raport theksohet se forcat e Pakistanit kishin probleme në parandalimin e militantëve nga kthimi në hapësirat, që njëherë ishin pastruar, duke thënë se në një rast, ushtria e Pakistanit ishte dashur që të ndërmarrë operacione kryesore të pastrimit tre herë gjatë dy viteve.
Megjithatë, raporti thekson se pavarësisht një numri të vështirësive, Shtetet e Bashkuara dhe Pakistani vazhdojnë të bashkëpunojnë ushtarakisht.
Në raport, gjithashtu thuhet se “luftime të ashpra” me talebanët në Afganistan priten të vazhdojnë këtë pranverë.