SHBA: Serbia të pranojë realitetin Kosovë

Nënsekretari amerikan për çështje politike, William Burns, ka deklaruar në Dubrovnik, se Serbia duhet të pajtohet me realitetin Kosovë. Burns, duke folur në Samitin e 6-të, të mbajtur në Kroaci, temë e së cilit është perspektiva dhe zgjerimi i rajonit në BE, ka përshëndetur "hapat mbresëlënëse" të cilët Serbia, e udhëhequr nga presidenti Tadiç, po i ndërmerr drejt Evropës.
"SHBA përshëndet dialogun e lehtësuar nga BE mes Prishtinës dhe Beogradit, sikurse edhe marrëveshjet e arritura", është shprehur nënsekretari amerikan për çështje politike, duke shtuar se problemi në veri të Kosovës, nuk guxon të kthehet në konflikt të ngrirë.
Serbia nuk merr pjesë në këtë samit, për shkak të pjesëmarrjes në të, të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.