E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zannieri, sekretari i ri i Përgjithshëm i OSBE-së

Lamberto Zannieri, do të jetë sekretari i ri i Përgjithshëm i OSBE-së. Diplomati italian, i cili deri më tani ka qenë shefi i UNMIK-ut në Kosovë, është zgjedhur në krye të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, në postin e sekretarit të përgjithshëm, vetëm për shkak se Turqia, kishte bllokuar zgjedhjen në këtë post të kandidates austriake.
Ish-ministrja e Jashtme e Austrisë, Ursula Plasnik, ka qenë kandidatja më e përshtatshme dhe ka fituar mbështetjen e fuqishme për t`u bërë sekretare e përgjithshme e OSBE-së.
 

Por në zgjedhjen e saj, Turqia vuri veto për shkak të deklaratave të mëparshme të Plasnik kundër anëtarësimit të Turqisë në BE. Këtë e kanë thënë disa burime diplomatike të shteteve perëndimore duke shprehur keqardhje për sjelljen e Turqisë dhe duke shtuar se kjo në mënyrë indirekte mund të ndikojë edhe më shumë në raportet e Turqisë me disa vende të Bashkimit Evropian.
Austria dhe Franca janë shtete që hapur kundërshtojnë mundësinë e anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian, ndërsa partia në pushtet në Gjermani e Kancelares Merkel, ka të njëjtin qëndrim refuzues.
 

Por, Gjermania nuk ka qëndrim të prerë pasi liberalët të cilët janë në koalicion qeveritar janë të hapur ndaj mundësisë që Turqia, kur t`i përmbyllë kushtet, të bëhet anëtare e BE-së. Turqia kishte nisur negociatat për anëtarësim në BE më 3 tetor të vitit 2005, të njëjtën ditë me Kroacinë. Kjo e fundit, ka përmbyllur negociatat, ndërsa Turqia ka hapur vetëm një numër të vogël nga 35 kapituj për të cilët duhet të negociohet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›