E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA Shqiperia kohet e fundit me transformime mjaft te medha

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Guvernatorin Havard Dean, i cili ka shërbyer për 6 mandate si guvernator i shtetit Vermont dhe në vitin 2004 garoi për t’u përzgjedhur kandidat për president i Partisë Demokratike në SHBA.

Në vitet 2005 – 2009, Guvernatori Havard Dean ka shërbyer si kryetar i Komitetit Kombëtar Demokratik të Partisë Demokratike Amerikane.

Kryeministri Berisha i shprehu Guvernatorit Dean mirënjohjen më të thellë për ndihmën dhe mbështetjen e çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë amerikane ndaj Shqipërisë e kombit shqiptar, gjatë gjithë kësaj periudhe.

Në veçanti, mirënjohje i shprehu Guvernatorit Dean falënderimet edhe për marrëdhënien e ngushtë e të shkëlqyer të miqësisë e bashkëpunimit midis Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Institutit Kombëtar Demokrat Amerikan, si dhe për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që ky i ka dhënë PDSH-së, gjatë këtyre dy dekadave.

Nga ana e tij, Guvernatori Dean e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, si dhe i shprehu atij vlerësimet më të larta për transformimet dhe ndryshimin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka përjetuar gjatë kësaj periudhe.

“Udhëtuam nga Prishtina për në Tiranë përmes rrugës Durrës - Kukës - Morinë, e cila është një vepër e jashtëzakonshme”, u shpreh Guvernatori Dean, duke i shprehur kryeministrit Berisha vlerësimin më të lartë për realizimin e këtij projekti, i cili ka vlerë jo vetëm për kombin shqiptar, por, sipas Guvernatorit, do të shërbejë si një faktor shumë i rëndësishëm edhe për zhvillimin e mbarë rajonit.

Guvernatori Dean e përgëzoi Kryeministrin Berisha për të gjitha këto rezultate të qeverisë së tij, gjatë kësaj periudhe dhe vlerësoi si një ngjarje jashtëzakonisht domethënëse e drejtësisë dhe qartësisë së këtyre reformave faktin që në periudhën më të vështirë të krizës ekonomike globale Shqipëria ishte një ndër vendet e pakta në botë që shënoi rritje pozitive ekonomike.

Në takim u vlerësua, gjithashtu, liberalizimi i vizave me BE-në dhe ecja përpara me shpejtësi në projektin madhor kombëtar të integrimit në BE.

Gjithashtu u theksua rëndësia që ka si për Shqipërinë, për rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe për Europën anëtarësimi i plotë i Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Guvernatori Dean u shpreh se përpjekjet e qeverisë dhe popullit shqiptar për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE do të vazhdojnë të gëzojnë mbështetje, inkurajim dhe ndihmën e të gjithë miqve të Shqipërisë dhe të rajonit, si në Europë ashtu dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke u ndalur edhe zhvillimet e fundit në rajon, ku u pohua se integrimi sa më i shpejtë i të gjitha vendeve të rajonit në BE është dhe mbetet rruga më e mirë për të ardhmen e këtyre vendeve dhe popujve të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›