SHBA: “Shqiptarët të kenë besim te rezultati i 23 qershorit”
Drejtori për Europën në Departamentin e Shtetit Xhonathan Mur ka konfirmuar vëmendjen e SHBA-ve për një proces zgjedhor që do të mundësojë arritjen e standardeve më të larta të votimit. Pas takimit me kreun e opozitës, diplomati amerikan theksoi se është e rëndësishme kreditimi i besimit tek institucionet që administrojnë procesin, duke synuar kthimin në normalitet të KQZ-së
Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, nisi dje takimet në Tiranë me krerët e politikës shqiptare, në një përpjekje për të gjetur konsensusin për kthimin në normalitet të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zyrtari amerikan ka bërë ndalesën e parë në selinë rozë, ku është pritur nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama. Takimi ka nisur në orën 08:30 minuta dhe ka zgjatur për më shumë se një orë. Moore shoqërohej nga ambasadori amerikan Alexandër Arvizu, ndërsa Rama nga Damian Gjiknuri, eksperti për çështje zgjedhore dhe Ditmir Bushati, kreu i komisionit parlamentar të Integrimit. Rama ka falenderuar të dërguarin e Departamentit të Shtetit për vizitën e tij në Tiranë brenda një kohe të shkurtër, duke e vlerësuar atë si një shenjë konkrete të interesimit të SHBA dhe mbështetjes që ata i japin Shqipërisë dhe popullit shqiptar në këtë moment vendimtar për demokracinë dhe shtetin ligjor në Shqipëri. Gjatë takimit u shkëmbyen mendime lidhur me rolin, gjendjen dhe funksionimin e institucioneve të pavarura të administrimit të zgjedhjeve përfshi Komisionin Qendror të zgjedhjeve dhe problematikën më të cilën ndeshet ai. Zyrtari i lartë amerikan ka rikonfirmuar angazhimin e vazhdueshëm të SHBA si përmes ambasadës në Tiranë ashtu edhe kontributit konkret njerëzor dhe financiar për zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje më standardet ndërkombëtare dhe në respekt të ligjit. Ai ka vënë në dukje se SHBA do të ndjekin nga afër të gjithë procesin si para ashtu edhe pas zgjedhjeve duke bërë thirrje dhe shprehur besimin se të gjithë palët do të mbajnë parasysh interesat më të mira të popullit shqiptar, të respektojnë ligjin dhe të njohin rezultatin e zgjedhjeve duke theksuar se procesi zgjedhor është i një rëndësie të veçantë. Zyrtari amerikan në përfundim të takimit ka bërë një deklaratë për mediat ku deklaroi se, populli i shqiptar duhet të ketë besim në procesin elektoral, në institucionet dhe tek rezultati zgjedhjeve pas 23 qershorit. “Ky ishte takimi im i parë gjatë kësaj vizite. Takimet do të vijojnë gjatë ditës së sotme por edhe nesër. Jam i kënaqur nga takimi që pata me zotin Rama. Do të takohem me Kryeministrin Berisha dhe zotin Meta përfshi këtu edhe takime në Durrës. Në fund të vizitës, do të kem më shumë se cfarë t’ju them. Sikurse edhe në të shkuarën, ne e kemi shprehur qëndrimin tonë për zgjedhjet, sikurse edhe ambasadori ynë e ka bërë të qartë, se duam që populli shqiptar të ketë besim në procesin elektoral, në institucionet dhe tek rezultati zgjedhjeve pas 23 qershorit”- u shpreh Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore.