Veset e çdo komunisti me maskë socialisti, janë mburrja, gënjeshtra dhe mashtrimi
Një vëzhgim mbi fushatën zgjedhore në Berat
Në një libër të botuar me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë, me titull “100 Qytetarët e Nderuar të Beratit”, janë paraqitur figura të shquara, si Mehmet Ali Vrioni, Bab Dud Karbunara, Iliaz Vrioni, Dhimitër Tutulani, Vexhi Buharaja etj. Krahas tyre renditet edhe kryetari socialist i Bashkisë Fadil Nasufi. Mesa kuptohet të dhënat për jetën e tij janë servirur nga ai vetë. Libri është përgatitur e botuar me të ardhurat nga pensioni i dy autorëve beratas
Vihet re se në Qarkun e Beratit dhe në zona të ndryshme të vendit tonë, nga veriu në jug, njerëzit e shquar të kombit shqiptar, luftëtarë të lirisë, shtetarë, politikanë, poetë e shkrimtarë, zakonisht kanë mbajtur me krenari si mbiemër vendlindjen e tyre. Shembujt janë të shumtë. Ata që lexojnë këtë libër zbulojnë vesin e komunistëve me maskë socialistësh, që fshehin prejardhjen apo vendlindjen e vërtetë, aq sa bëhen qesharakë para botës. Shembull tipik është kryetari i PS Edvin Rama, i cili gjatë fushatës elektorale, pa e pyetur kush, në Shkodër thotë jam prej Shkodre, në Korçë jam korçar, në Durrës jam durrsak, në Vlorë jam vlonjat, në Tiranë jam tiranas, por asnjëherë nuk tregon se është nga fshati Mbreshtan i Beratit, të cilin nuk e ka vizituar ndonjëherë, megjithëse rrugët i ka të hapura nga shumë drejtime prej Qeverisë Demokratike. Në libër ky ves komunist, del qartë qysh në rreshtin e parë, teksa Fadil Nasufi, fsheh emrin e vendlidjes, fshatin Vojnik, anëtarësimin në Partinë e Punës dhe emërtimin e punës në shkollën e Roshnikut. Ndryshe vepron kur përmend me mburrje ofiqe në vepra e organizata të dështuara, si “komandant” në hekurudhën e harruar Milot-Klos e “sekretar i parë” i BRPSH në Berat. Mandej si askush tjetër numëron poste partiake socialiste pa fund, programe e kurse marramendëse trajnimi tok me tituj të fituar nga meritat e qytetarëve beratas, bie fjala për shpëtimin e hebrenjve gjatë kohës së luftës. Nga një anë pa patur asnji ide nga arti, regjistron anëtarësimin e vet në një shoqatë arti të huaj për shkak se befas dikush kish zbuluar në Francë një qytezë me emrin Berat, nga ana tjetër kundërshton veprat kulturore të patriotëve vendas, si Universiteti i parë i Beratit, por pas debatesh prapset me fjalë dhelpre përballë guximtarëve të përparimit. Kushdo pasi mbaron së lexuari jetëshkrimin e servirur nga ai vetë, vë re se nuk shënon asnjë krijim apo vepër konkrete. Në Bashkinë e qytetit ka emëruar bijë ish-sekretarësh të parë partie. Po ashtu edhe në Bibliotekë, ku banja e vjetër kundërmon. Në WC e qytetit duhet të hysh me kundragaz. Lumin e kanë mbuluar shkurret. Ura legjendare shërben për shitje domatesh e peshqish. Ngul këmbë kundër nderimit me tituj të qytetarëve të shquar beratas apo me emërtime rrugësh. Tabelat me emrat e nderuar të patriotëve demokrat janë vendosur në qorrsokake. Vihet re shkujdesja e tij për punësimin e mirëqenien e qytetarëve. Jeta kulturore e sportive në Berat përpëlitet në duart e tij. Muzeu Historik pothuajse nuk ekziston. Për sponsorizim librash të autorëve me bindje jo të majta nuk bëhet fjalë. Klubi sportiv Tomori nuk po e merr veten. Rrugicat në lagjen më të vjetër Murat Çelepi, duken sikur janë shkelur nga tanke të rëndë. Përjashtim bënë rruga e gjerë me disa kalime, që vjen nga veriu e kalon përbri qytetit me një urë të fuqishme mbi Osum për në jug, e ndërtuar nga Qeveria Demokratike. Përjashtim bëjnë edhe tri lagjet që mbrohen nga UNESKO, gjithashtu me përpjekjen e kujdesin e Qeverisë, siç ndodhi pak kohe më parë me përurimin e disa restaurimeve të rëndësishme në lagjen Kala nga ministri i kulturës, poeti Visar Zhiti. Dhe për ironi të fatit kryetari vendor me mandatin e tretë, drejton hiçin prej hiçit, që sillet rreth hiçit dhe mburet me një nënshkrim në librin e vogël me titull “Çelsi turistik” i Qyteti Muze, pjesë e kulturës botërore që mbrohet nga UNESKO pas 2400 vjetësh (përfshi 45 vjetët e shkatërrimit barbar nga ish-Partia e kuqe e kryetarit vendor të patundur nga istikami). Kush ka faj për këtë gjendje, kryebashkiaku mburravec që na kujton Emine Gurin, apo ajo pjesë e qytetarëve, edhe pse me halle, në vend të intelektuales së shquar beratase si Milika Jaho, pa e ditur përse e votoi dhe për habi tani e mban mbi supe këtë kryetar të papunë, të aftë për të krijuar kriza si gjithë shokët e tij në bashkitë socialiste në Gjirokastër, Durrës, Korçë etj. Ashtu siç ndodh me Edvin Ramën në autobuzin mavi që bredh poshtë lartë në zona të cilat tashmë po ndryshojnë ngjyrën në blu. Atje, nxin gjithçka dhe mbrapshtitë e tij orvatet t’ua ngarkojë të tjerëve dhe pasi kërkon falje, përsërit premtimet e vjetra boshe.
Një njeri serioz në dy faqe libri, zakonisht e tregon jetën, shkurt e hapur duke parashtruar vlerat kryesore. Ja se si e paraqet jetën e tij, kryetari vendor i Beratit në mandatin e tretë, i cili ka në duar fatin e një prej qyteteve më të bukur në botë, ky socialist me bindje komuniste që përfiton të mirat e sistemit të ri ekonomik dhe shfaqet si themelues i qytetit, përballë gazetarëve të huaj, të mahnitur nga pamjet e lagjeve të lashta, por të painformuar për bëmat e tij e të paraardhësve komunistë në Berat. Tekstin e japim ashtu siç e gjetëm në libër. Mesa kuptohet autorët s’kanë bëre asnjë ndërhyrje në shkrimin e mbushur me mburrje si të Belulit:
“Fadil Nasufi. Lindi në mars 1958. Banon në lagjen Donika Kastrioti. Ka mbaruar Universitetin e Tiranës, dega Biologji-Kimi, në vitet 1978-1982 (Universitetin e Vlorës, dega Ekonomi-Biznes, Part Time, në vitet 2003-2007. Është me profesion mësues biologji-kimie dhe ekonomist. Ka kryer kurse kualifikimi si drejtues politik, menaxher, drejtues vendor; programe trajnimi me USAID, GTZ, SOROS, LGDA, PNUD, SHBSH, IDN etj. Njeh si gjuhë të huaj: Italisht, Rusisht. Ka punuar mësues në shkollën e mesme Roshnik në vitet 1982-1986; ka qenë komandant sektori në Hekurudhën Milot-Rrëshen-Klos, sektori Shkjeze-Rrëshen, sekretar i parë i BRPSH Berat, maj 1991-korrik 1992; nënkryetar i PS dega Berat, gusht 1992-qershor 1994; i papunë (neni 2/1); 8 muaj(?) emigrant në Itali qershor 1994- shtator 1998; sekretar organizativ i PS dega Berat, shtator 1998-shkurt 2004; kryetar i PS dega Berat; kryetar i Bashkisë Berat, shtator 1987 (?)- maj 1991 dhe në vazhdim( ?) (pra, Beluli vazhdon me sajime e pasaktësi, mospërputhje datash e tymnajë-AR). Ka kryer këto veprimtari politikë: Anëtar i PSSH më 12 qershor 1991; anëtar i KPD të PSSH, 12 qershor 1991-1996; anëtar i KPD së PSSH, 12 shtator 1998-2006; deputet i Kuvendit të Shqipërisë 31 mars 1991-22 mars 1992; nënkryetar dhe sekretar organizativ i PS dega Berat, 6 vjet; kryetar i PS dega Berat, mbi 6 vjet; delegat i zgjedhur në të gjitha kongreset e PSSH, 1991- 2006 dhe 2011 (Duroni edhe pak, sepse ka edhe më - AR).
I zgjedhur në organet e qeverisjes vendore: Këshilltar i Bashkisë, 2000-2003; këshilltar i qarkut Berat 2003-2007, 2007-2011; kryetar i Bashkisë Berat 2011 dhe në vazhdim (mandat i tretë); anëtar i Rrjetit të kryetarëve të Bashkive të Qyteteve Ballkanike me Qendra Historike; anëtar i Rrjetit të Qyteteve të Artit dhe Historisë së Francës; i shpallur Qytetar Nderi i qytetit të Jerusalemit, Izrael”.
A doni më për Belulin, për këtë kryetar me kulturë të cekët që fsheh shkollën e Partisë e mburret me diploma të dyshimta, i cili fyen Beratin me ofiqe e titujt të përvetësuar nga fisnikëria e këtij qyteti të kulturuar, ky kryetar, që mburret me kurse apo pjesëmarrje në mbledhje ndërkombëtare të sajuara, pa ditur asnjë gjuhë? As shifranti më i shkathët nuk do të mundej të zbërthente kuptimin e këtyre mburrjeve prej komunisti. Flitet se kryetari qysh tani po përgatitet ta braktisë Beratin për t’u strehuar në një nga pallatet moderne në Tiranë të blerë me rrogën si “kryebashkiak i urtë”.
S’ka trishtim më të madh, kur krahason jetën e patriotëve të mëdhenj beratas, si Mehmet Ali Vrioni, Babë Dudë Karbunara, Dhimitër Tutulani, Iliaz Vrioni, të njohur në tërë Europën, me kyetarin e sotëm të Bashkisë në Berat të cilin nuk e njeh as fshati i vendlindjes, Vojnik. Kopje të Fadil Nazufit janë edhe kandidatët për deputetë të koalicionit të majtë për Beratin që sillen rrotull për të mashtruar përsëri qytetarët beratas në qytet e fshat. Në këto ditë fushate ata që dikur votuan për braçet e Edvin Ramës, duhet t’i hedhin një sy historisë së hidhur të Beratit e fshatrave përqark gjatë diktaturës e të kujtojnë premtimet e vendorëve socialistë.
Fadil Nasufi është model i përkryer i nivelit të ulët kulturor të PS, gjatë viteve të fundit, me kryetarin e dështuar Edvin Rama, si piktor e sportist, si gazetar e politikan, si shtetar e partiak. Edvin Rama që jep reklama televizive si ata të uzos “Metaksa”, më kot orvatet me biznesmenë të korruptuar, si Koço Kokëdhimat e kryebashkiakët socialistë, me def e saze e valle dudumash, të ndalojë rrjedhën e jetës ekonomike e kulturore, të pengojë veprën e PD e liderit doktor Sali Berishës me Koalicionin e djathtë që po punon fort për punësimin, mirëqenien e integrimin në Europë, për ta çuar Shqipërinë përpara.