SHBA, aktakuzë për kosovarin që vrau ushtarët amerikanë

Prokuroria amerikane ka ngritur edhe zyrtarisht akuzën për kosovarin Arid Uka, i njohur si Abu Reyyan që muaj më parë vrau dy ushtarë amerikanë në një aeroport të Gjermanisë.
Në aktakuzë thuhet se Uka pasi hyri në autobus vrau dy ushtarët Nicholas Alden dhe Zachary Ryan Cuddeback ndërsa më pas doli nga autobusi dhe filloj të qëlloj me armë jashtë.
Gjatë arratisjes u arrestua nga policia gjermane, ndërsa vetë Uka me prejardhje nga Mitrovica e pranoi krimin duke thënë se "ka vepruar vetëm pasi kishte parë një video se si keqtrajtoheshin myslimanët nga ushtarët amerikanë".
Prokurorët amerikanë e kanë akuzuar Ukën me vrasje, vrasje në tentativë dhe armëmbajtje. Nuk është ende e qartë nëse Arid Uka do të ekstradohet nga Gjermania në SHBA për tu përballur me këto akuza.
Arid Uka do të përballet me të njëjta akuza edhe në Gjermani. Hetuesit gjermanë kanë thënë se Uka ka treguar se ai e ka kryer sulmin si hakmarrje ndaj misionit amerikan në Afganistan, mirëpo hetuesit kanë thënë se nuk kanë gjetur asnjë lidhje në mes tij dhe ndonjë organizate terroriste.