SHBA analizë “të thellë” fitores së Nikolliç në raport me Kosovën

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të analizojnë se çfarë do të thotë fitorja e Tomisllav Nikolliç në Serbi për Kosovën dhe rajonin, por në të njëjtën kohë mirëpresin angazhimin e tij për të ardhmen evropiane të vendit.
Kështu ka deklaruar ndihmësi i sekretares amerikane të shtetit për çështjet evropiane, Filip Gordon, në konferencën vjetore të Qendrës për SHBA-në dhe Evropën, në Uashington.
“Edhe pse vazhdojmë të analizojmë se çfarë do të thotë zgjedhja e Tomisllav Nikolliç për Kosovën dhe rajonin e gjerë, ne përshëndesim angazhimin e tij të shprehur për të ardhmen evropiane të Serbisë dhe i bëjmë thirrje që të punojë në mënyrë konstruktive me qeverinë e re, për arritjen e këtij qëllimi”, ka thënë Gordon.
Ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre në Evropë duhet të bashkëpunojnë me udhëheqësit e vendeve të rajonit “rreth ideve të reja” për “zgjidhjen e sfidave në veri të Kosovës”.
“Stabiliteti dhe zhvillimi i Ballkanit Perëndimor do të varet nga ajo nëse shtetet e këtij rajoni realizojnë reformat e nevojshme për euro-integrime”, ka thënë Gordon.
Nikolliç ka mundur presidentin e deritashëm të Serbisë, Boris Tadiç, në balotazhin e 20 majit.