E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, breshëri të shtënash në një shkollë të mesme

Një seri të shtënash janë regjistruar mëngjesin e së enjtes në një shkollë në Ohajo të Shteteve të Bashkuara, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur pesë persona.

Lajmin e bën të ditur rrejti informativ amerikan CNN, që citon burime të policisë lokale. Ngjarja ka ndodhur në Chardon High School.

Sipas burimit, personi i armatosur ka hapur zjarr në kafenenë e shkollës duke plagosur pesë nxënës dhe më pas një mësues që ishte vënë në ndjekje të tij.

Autoritetet amerikane kanë njoftuar ndërkohë se lidhur me ngjarjen kanë ndaluar një person, që është një student, por nuk dihet ende nëse i përket shkollës ku ndodhi sulmi.

Ndërkohë, pak pas ngjarjes drejtori i institutit arsimor ka reaguar duke deklaruar se tani të gjithë studentët janë të sigurtë. Të shtënat nëpër shkolla janë kthyer në një makth të vërtetë për studentët amerikanë.

Ngjarja më e rëndë e ndodhur në të tilla rrethana është ajo e disa viteve më parë në universitetin Virginia Tek, ku një student i armatosur vrau rreth 30 persona.

Ngjarjet në fjalë kanë bërë që në Shtetet e Bashkuara të hapen debate mbi lirinë e armëmbajtjes.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›