E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, debat për sigurinë e konsullatës në Bengazi

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Kontrollin dhe Reformën Qeveritare mbajti debatin e parë për sulmin e 11 shtatorit 2012 kundër konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë, ku u vra ambasadori dhe tre amerikanë të tjerë. Republikanët kritikojnë administratën Obama se nuk ka garantuar siguri të mjaftueshme, ndërsa demokratët po akuzojnë republikanët se po përpiqen ta politizojnë tragjedinë.

Hollësi të reja po dalin nga ai që zyrtarët e Departamentit të Shtetit e quajnë sulm të pashembullt kundër konsullatës amerikane në Bengazi, ku një grup i madh njerëzish të armatosur rëndë hynë në kompleks dhe i vunë zjarrin ndërtesave. Departamenti i Shtetit thotë tani se nuk e kishin besuar kurrë që sulmi filloi si protestë kundër një filmi anti-mysliman, por ishte në fakt një sulm i organizuar mirë.

Komandanti i një ekipi ushtarak prej 16 vetësh që u largua nga Libia para sulmit, nënkoloneli Endriu Ud, i tha komisionit të Kongresit se konsullata amerikane në Bengazi nuk kishte patur asnjëherë forcat që i duheshin për t`u mbrojtur.

"Sigurimi në Bengazi ka qënë i vështirë për sa kohë që unë isha atje. Gjendja ishte e pasigurt dhe njoftimet nga disa libianë tregonin se gjendja po përkeqësohej. Sigurimi diplomatik ishte i dobët. Në prill atje ishte i stacionuar vetëm një agjent i sigurimit diplomatik”.

Kryetari republikan i komisionit, Derrëll Isa, akuzoi administratën obama se kishte shpërfillur kërkesat e përsëritura nga anëtarët e personelit në terren për më shumë siguri që gjendja të dukej më “e normalizuar”. Ai iu kundërvu zyrtares së Departamentit të Shtetit Sharlinë Lamb, e cila kishte hedhur poshtë kërkesat për më shumë siguri. Shkëmbimi Lamb-Isa ishte i ashpër.

Lamb: "Zotëri, ne kishim numrin e saktë të zyrtarëve të sigurimit në Bengazi më 11 shtator, numrin për të cilin kishim rënë dakord”.

Isa: "Të thuash që në fillim se kishit numrin e duhur, kur ambasadori ynë dhe tre persona të tjerë kanë vdekur, si dhe njerëz të tjerë janë në spital duke u kuruar sepse u deshëm vetëm pak minuta për të hyrë në atë ndërtesë, nuk tingëllon e vërtetë për popullin amerikan”.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit i janë përgjegjur pyetjeve të Kongresit duke thënë se hetimet për sulmin vazhdojnë .

Demokratët e komisionit akuzuan republikanët se po nxitohen për të nxjerrë konkluzione, para se të mblidhen faktet dhe se po veprojnë me synime politike. Anëtari i komisionit, Elixhh Kamings është demokrat nga Marilandi.

"Kryetari ka mbajtur të fshehta dokumente që i janë dhënë komisionit, gjë që shkel rregullat e Dhomës së Përfaqësuesve dhe ai ka përjashtuar me qëllim demokatët nga delegacioni i dërguar në Libi fundjavën e kaluar. Ne u informuam për udhëtimin vetëm 24 orë para nisjes”.

Demokratët theksuan gjithashtu se republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve theksuan gjithashtu se republikanët kanë shkurtuar vazhdimisht fondet për sigurimin e ambasadave dhe i bënë thirrje Kongresit të shtojë fondet për mbrojtjen e amerikanëve që i shërbejnë vendin nëpër botë

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›