E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA dhe Arabia Saudite pranë marrëveshjes për bashkëpunim në energjinë bërthamore

Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite janë pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje paraprake për bashkëpunim në zhvillimin e një industrie civile bërthamore në mbretëri, bëri të ditur sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, gjatë një konference për shtyp në Riad.

Wright u takua me ministrin saudit të Energjisë, Princin Abdulaziz bin Salman, për të diskutuar hapat konkretë drejt një partneriteti në fushën bërthamore. Ai deklaroi se të dyja palët janë në një “rrugë të qartë” për të arritur një marrëveshje që do të ndihmojë Arabinë Saudite të ndërtojë një program bërthamor civil me mbështetje dhe teknologji amerikane.

“Për një partneritet dhe përfshirje të SHBA-së në bërthamore këtu, do të ketë patjetër një marrëveshje. Ka shumë mënyra për të strukturuar një marrëveshje që do të përmbushë objektivat saudite dhe ato amerikane,” tha Wright.

Diskutimet për këtë çështje kanë qenë të ndërlikuara më parë, për shkak të hezitimit të Arabisë Saudite për të nënshkruar një marrëveshje që do t’i ndalonte asaj pasurimin e uraniumit ose ripërpunimin e karburantit të harxhuar – dy procese që mund të përdoren edhe për ndërtimin e armëve bërthamore.

Zhvillimi vjen në një kohë kur tensionet rajonale mbeten të larta, veçanërisht përballë programit bërthamor të Iranit. Princi i kurorës Mohammed bin Salman ka deklaruar më parë se, nëse Irani do të ndërtonte një armë bërthamore, edhe Arabia Saudite do të ndiqte shembullin.

Sipas analistëve, çdo marrëveshje e re në këtë drejtim do të ketë ndikim të rëndësishëm jo vetëm në politikën energjetike të rajonit, por edhe në ekuilibrat gjeopolitikë dhe të sigurisë në Lindjen e Mesme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›