SHBA dhe BE kundër largimit të anëtarit të LSI-së në KQZ
Kronologjia
Ora 10:00 - Mblidhet grupi i PS-së për të përcaktuar qëndrimin politik mbi çështjen e mandatit të anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho
Ora 10:30 - Mblidhet Konferenca e Kryetarëve, ku Topalli i paraqet kërkesën për futjen në seancë për të votuar çështjen e anëtarit të KQZ
Ora 11:00 - Ambasadorët Sequi dhe Wollfarth bënë thirrje që mazhoranca të mos ngutet për shkarkimin e anëtarit të institucionit zgjedhor
Ora 12:00 - Topalli thërret për herë të dytë Konferencën e Kryetarëve, debatohet për KQZ, PS e cilëson si shkelje kushtetuese
3 orë - Pritja e deputetëve për nisjen e seancës kuvendore ka zgjatur mbi 3 orë gjithsej, në pritje të vendimit përfundimtar të konferencës
Në seancë është vënë re një rreshtim i ri i deputetëve në sallë. Meta dhe deputetët e LSI-së kanë ikur nga mazhoranca dhe janë ulur në anën ku qëndron opozita. Ndërsa të pavarur, Kadeli dhe Dogjani, u ulën në anën e PD-së
Është me rëndësi të mbahet mend që anëtarët e KQZ-së të cilët u përzgjodhën dhe emëruan mbi bazën e konsensusit ndërpartiak, në përputhje me Kodin Zgjedhor konsiderohen se janë apolitikë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë kundërshtuar hapur tentativën e PD-së për të zëvendësuar anëtarin e KQZ-së, të propozuar nga LSI-ja. Në mënyrë të prerë si Uashingtoni, nëpërmjet ambasadës së SHBA-së në Tiranë, por edhe Brukseli, nëpërmjet zëdhënësit të komisionerit Fule, kanë kërkuar që mazhoranca të tërhiqet, pasi vendimet duhet të merren me konsensus.
SHBA
Ambasada e SHBA në Tiranë, me anë të një deklarate zyrtare ka bërë thirrje që të mos preket KQZ-ja. Ne mirëpresim vendimin e sotëm për të shtyrë votimin e Kuvendit mbi anëtarësinë në KQZ, dhe nxisim partitë politike që ta përdorin këtë kohë për diskutime konstruktive dhe konsultime të gjera. Shtetet e Bashkuara iu kanë bërë thirrje në mënyrë konsekuente dhe të përsëritur të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri atyre në qeveri dhe atyre në opozitë që të veprojnë në mënyra të tilla që rrisin besimin e publikut në ndershmërinë dhe integritetin themelor të procesit zgjedhor. Të tilla veprime do të përmirësonin perspektivën që rezultati i zgjedhjeve të pranohet nga të gjitha palët dhe nga publiku, në të mirë të demokracisë dhe integrimit më të thellë të Shqipërisë në bashkësinë euroatlantike të kombeve. Për sa i përket përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është me rëndësi të mbahet mend që anëtarët e KQZ-së të cilët u përzgjodhën dhe emëruan mbi bazën e konsensusit ndërpartiak, në përputhje me Kodin Zgjedhor konsiderohen se janë apolitikë. Me tu emëruar, anëtarët e KQZ-së janë betuar, dhe janë të detyruar, që të kryejnë detyrat e tyre për të realizuar zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike në Shqipëri. Duke pasur parasysh një kontekst të tillë si dhe për hir të qartësisë morale ne nxisim të gjithë aktorët politikë që të riafirmojnë përkushtimin e tyre të shpallur ndaj integritetit dhe transparencës procedurale kur shqyrtojnë çfarëdo veprimi të mundshëm lidhur me përbërjen e KQZ-së, thekson ambasada e SHBA-së.
BE
Bashkimi Europian ka kundërshtuar mazhorancën për shkarkimin e anëtarit të LSI-së në KQZ, duke e cilësuar si mënyrë partizane.
Nga Bosnja, ku ndodhet në një vizitë me komisionerin Stefan Fule, zëdhënësi i tij, Peter Stano, në një intervistë telefonike për Top Channel deklaroi qëndrimin e Komisionit Europian që po ndjek me shumë shqetësim ngjarjet e fundit me tentativat për shkarkimin dhe zëvendësimin e një prej komisionerëve të tij.
Peter Stano nënvizoi faktin se sipas Kodit Zgjedhor shqiptar, organet e administrimit të zgjedhjeve duhen shkarkuar nga detyra në një mënyrë profesionale dhe të paanshme. Ato duhet të funksionojnë pa pengesa dhe në një mënyrë transparente e jo partizane. Ne jemi duke e ndjekur nga afër situatën që po ndodh me KQZ-në. Komisioni Europian dëshiron të theksojë, se sipas Kodit Zgjedhor në Shqipëri, administrata zgjedhore duhet të mbahet larg nga veprime që cenojnë pavarësinë e saj. Ky Komision duhet të operojë qetësisht dhe në mënyrë transparente, jo në mënyra partizane. Duhet të garantohet pavarësia e KQZ-së, pasi anëtarët e zgjedhur janë betuar të jenë si jo të njëanshëm dhe të pavarur, tha Stano. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, dhe ai i OSBE-së, Eugen Wollfarth kanë deklaruar se po ndjekin me kujdes situatën. Ndërkaq, mësohet se misioni BE-së në Tiranë ka thirrur një ekspert ndërkombëtar për çështjet ligjore, që lidhen me zgjedhjet. Ai është Nikolai Vulçanov, një emër i njohur në fushën e legjislacionit zgjedhor, ish-drejtues i disa misioneve të ODIHR-it në vëzhgimin e zgjedhjeve në disa vende. Vulçanov është kërkuar të vijë në Tiranë, për të dhënë ekspertizën e tij për zhvillimet që lidhen me KQZ-në.
Delegacioni BE-së nuk është ngutur të japë opinionin e tij për këtë çështje kaq të nxehtë, por paraprakisht ka kërkuar të ketë opinionin e specializuar të Vulçanov. Vulçanov aktualisht punon si ekspert për Komisionin e Venecias.
Mazhoranca,
hap mbrapa
SHBA dhe BE kundër largimit të anëtarit të LSI-së në KQZ burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email