SHBA dhe Rusia do të bisedojnë për armët taktike bërthamore
Administrata e Barack Obamës thotë se pakësimi i armëve taktike bërthamore të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë do të jetë objektivi që pason ratifikimin e të mërkurës të traktatit për pakësimin e armëve strategjike me Moskën. Zyrtarët amerikanë thonë se presin inspektime të shumta për armët strategjike, të cilat u ndërprenë vitin e kaluar dhe që do të rifillojnë sërish deri në muajin prill.
Ende në valën e festimeve pas ratifikimit të traktatit të ri START nga Senati amerikan, zyrtarët e administratës i kanë drejtuar sytë nga një objektiv i ri dhe ndoshta më i vështirë, shkurtimin e arsenaleve të armëve taktike bërthamore amerikane dhe ruse.
Kjo kategori e gjerë armësh përfshin mjetet bërthamore në formën e minave, predhave të artilerisë, raketave me rreze të shkurtër që janë dukshëm më të vogla e që përbëjnë rrezik më të madh për t’u përhapur, se sa armët strategjike me rreze të gjatë që përfshihen në traktatin e ri START.
Në një konferencë telefonike me gazetarët, ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për kontrollin e armëve, verifikimin dhe zbatimin, Rous Gotmoller tha se Presidenti Obama dhe senatorët amerikanë të të dy partive janë të predispozuar të merren më tej me armët taktike.