E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA dhe aleatët dënojnë vendimin e Izraelit që ndalon agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë

Shtetet e Bashkuara dhe aleatë të tjerë të Izraelit kanë shprehur shqetësim serioz pas vendimit të parlamentit, që ndalon agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (Unrwa) të punojë brenda vendit.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se Unrwa luan një rol kritik në shpërndarjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës dhe se askush nuk mund t’i zëvendësojë ata tani në mes të krizës.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje qeverisë së Izraelit të ndalojë zbatimin e këtij legjislacioni. Ne i bëjmë thirrje që të mos e miratojnë fare atë”, tha Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Matthew Miller.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, tha se ishte “shumë i shqetësuar” dhe se ligji rrezikon ta bëjë të pamundur “punën thelbësore të Unrwa për palestinezët, duke rrezikuar të gjithë përgjigjen humanitare ndërkombëtare në Gaza”.

Komisionerja gjermane për politikën e të drejtave të njeriut dhe ndihmën humanitare, Luise Amtsberg, paralajmëroi se masa do ta bënte të pamundur punën e Unrwa në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, duke rrezikuar ndihmën jetike humanitare për miliona njerëz.

Qeveritë e Sllovenisë, Irlandës, Spanjës dhe Norvegjisë lëshuan një deklaratë të përbashkët duke dënuar ndalimin e Izraelit dhe paralajmëruan se vendosi një precedent “shumë serioz” për punën e OKB-së dhe të gjitha organizatave të sistemit shumëpalësh.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres paralajmëroi për “pasoja shkatërruese” nëse ligjet zbatohen dhe tha se ato do të ishin “të dëmshme për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez dhe për paqen dhe sigurinë në rajon në tërësi”.

Ligjet e miratuara nga Izraeli, që pritet të hyjnë në fuqi brenda tre muajve, në thelb ndalojnë Unrwa të operojë në Izrael dhe Jerusalemin Lindor, si dhe kufizojnë ashpër aftësinë e tij për të punuar në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Gazën./ BBC

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›