SHBA, goditet nga stuhitë e borës, ndërpritet transporti rrugor
Pjesët lindore të SHBA-së janë goditur nga një prej stuhive më të rënda që rajoni ka parë në dekada.
Stuhia përfshiu Uashingtonin dhe Baltimorën duke shkaktuar sasi të mëdha bore, duke ndërprerë transportin dhe duke rrëzuar pemë mbi makina dhe shtëpi. Stuhia erdhi me erëra të forta me shpejtësi 93 kilometra në orë për gjatë brigjeve lindore.
Gjithçka në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara pothuajse është pparalizuar dhe qeveria federale e shumica e bizneseve u mbyllën më herët dhe banorët janë paralajmëruar që të mos dalin nga shtëpia pasi rrugët janë të mbushura me dëborë. Disa qindra mijëra shtëpi mbetën pa energji pasi pasi bora e lagësht rrëzoi pemë dhe linjat e tensionit të lartë.
Shërbimi metereologjik thotë se dëbora e dendur dhe e lagësht, si dhe erërat e forta kanë krijuar kushte "jashtëzakonisht të rrezikshme" në shtetet e brigjeve lindore nga Virxhinia dhe Virxhinia Perëndimore deri në Meriland, Pensilvani, Dellaverë dhe Nju Xhërsi.
Fluturimet në aeroportet kryesore të zonës janë anulluar. Sipas Departamentit të Transportit të Virxhinias, 94% e buxhetit të shtetit për heqje të dëborës nëpër rrugë ishte shpenzuar gjatë stuhive të dhjetorit.
Autoritetet thanë se tashmë duhet të përdorin fonde urgjente për pastrim të rrugëve nga dëbora. Parashikuesit e motit thonë se këto do të jenë reshjet më të mëdha të dëborës në Uashington që nga janari i vitit 1922.