E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA i jep "goditjen" e radhes qeverise

Shtetet e Bashkuara të Amerikës rikonfirmojnë qëndrimet e shprehura nga ambasadori Uidhers për emërimet e Kushtetueses


Pas ankimit të Metës, DASH: Mbështesim një transparencë të plotë të procesit të emërimit të gjykatësve


Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin "goditjen" e radhës qeverisë shqiptare mbi çështjen e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Debati për emërimet e anëtarëve të gjykatave tashmë ka kaluar kufijtë, duke kaluar përtej oqeanit.


Kritikat e qeverisë shqiptare ndaj qëndrimeve të shprehura nga ambasadori në ikje i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uidhers, mbi çështjen e emërimit të kryetarëve të Gjykatës së Lartë Kushtetuese, kanë marrë përgjigjen e zyrtarëve të lartë amerikan, të cilët kanë mbështetur qëndrimin e të deleguarit të tyre në Shqipëri.


Gjithçka ka nisur me dërgimin e një letre nga ana e ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, drejtuar sekretares së Shtetit, Hilari Klinton, ku shprehte shqetësimin e tij për qëndrimet publike të bëra nga ambasadori Xhon Uidhers mbi emërimet në gjykata.


Mbi këtë çështje, i dërguar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë ka kritikuar mënyrën e zhvillimit të përzgjedhjes dhe miratimit të kandidaturave, dhe ka kërkuar më tepër transparencë në të gjithë procesin.


Ai ka kërkuar që gjatë kohës kur shqyrtohen të emëruar të tjerë, të tregohet shumë më tepër konsideratë për kualifikimin e kandidatëve, për aftësinë e vetë kandidatit për të përftuar një seancë dëgjimore të hapur dhe më të ndershme. Këto këshille me sa duket kanë "irrituar" qeverinë shqiptare duke sjellë në këtë mënyrën reagimin e saj përmes një letre drejtuar Uashingtonit zyrtar.


Në lidhje me këtë çështje, në emër të sekretares së Shtetit, Hilari Klinton, është paraqitur një letër në autoritet shqiptaret nga ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane, Philip Gordon, i cili ka shprehur mbështetjen e ambasadorit Uidhers. "Ne mbështesim një transparencë të plotë të procesit të emërimit dhe konfirmimit të gjykatësve.


Sekretarja dhe unë kemi besim të plotë tek ambasadori Uidhers dhe në punën që ai po bën për të çuar përpara marrëdhëniet tona dhe ndihmën për Shqipërinë në realizimin e potencialit të saj të plotë.


Përkushtimi i tij ndaj idealeve të demokracisë dhe shtetit ligjor përgjatë 26 vitesh shërbimi të shquar kanë luajtur rol thelbësor në arritjen nga ana e Shqipërisë të anëtarësimit në NATO dhe respektimit të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO", mësohet të jetë shkruar në letrën e dërguar qeverisë shqiptare nga Philip Gordon.


Krahas përsëritjes së qëndrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi emërimet në Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, nuk është lënë pa komentuar edhe situata aktuale politike. Në letrën e dërguar nga përfaqësuesi i Departamentit Amerikan të Shtetit shprehet shqetësimin për krizën aktuale politike dhe kërkohet një zgjidhje sa më të shpejt të saj, pasi sipas tyre, ndikon në procesin e integrimit të vendit.


"Ne besojmë se një zgjidhje e shpejtë e ngërçit politik do të lejonte Shqipërinë të vazhdonte të shënonte përparim në përmbushjen e objektivit të integrimit të plotë në komunitetin euroatlantik", apelon për zgjidhje të situatës, zyrtari i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


Ambasadori Xhon Uidhers ndodhet në prag të largimit të tij, por me sa duket edhe me ardhjen e zëvendësuesit të tij, Aleksandër Arvizu, qëndrimi i SHBA mbi çështje të caktuara nuk do të ndryshojë.


Deklarata e Uidhers që "acaroi" qeverinë

Ambasadori i SHBA: Rrëzimi i kandidaturave, nuk ka transparencë

Në një forum me temë "Gjykatat në demokraci", të organizuar nga dy ish-Presidentët Rexhep Mejdani dhe Alfred Moisiu, ambasadori i SHBA, Xhon Uidhers shprehu habinë e tij për rrëzimin e kandidaturave nga mazhoranca. "Të gjithë janë të turbulluar nga rrëzimi i një kandidati të shquar dhe shumë të kualifikuar si zoti Kosta. Mënyra dhe mungesa e transparencës se si u arrit ky vendim është befasuese.


Duket sikur ky vendim është shqyrtuar mbi bazën e kritereve të përvijuara në një projektligj mbi hapjen e dosjeve i cili u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese ashtu dhe nga një opinion këshillues i Komisionit të Venecias. Kjo nuk është transparencë", shprehu kritikat ndaj mazhorancës, ambasadori Uidhers.


Ai shprehu shqetësimin lidhur me emërimet për anëtarët e ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke thënë se "mes shumë institucioneve që përbëjnë gjyqësorin dhe pavarësinë e të cilave duhet ta garantojmë, nuk ka më të rëndësishme se sa këto dy organe".


"Gjatë kohës kur shqyrtohen të emëruar të tjerë, si për Gjykatën Kushtetuese, ashtu edhe për Gjykatën e Lartë, do të tregohet shumë më tepër konsideratë për kualifikimin e kandidatëve, për të drejtën e popullit shqiptar për informim mbi procedurat, si dhe për aftësinë e vetë kandidatit për të përftuar një seancë dëgjimore të hapur dhe më të ndershme", këshilloi ambasadori i SHBA në vendin tonë, gjatë fjalës së mbajtur në forumin me temë "Gjykatat në demokraci", të zhvilluar në fund të muajit maj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›