E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deda: Prifti e Vokshi të korruptuarit e Berishës

Partia Socialiste ka vijuar sërish me akuzat për aferra korruptive të qeverisë. Në një konferencë për shtyp deputeti i PS-së Eltar Deda ka theksuar se u bënë tre javë që Partia Socialiste denoncon publikisht me fakte afera korruptive të zyrtarëve të lartë të këtij pushteti.

Sipas tij ministri Prifti në tre muajt e para të tij në qeverinë Berisha e rriti pasurinë me më shumë se një milion e gjysmë euro ndërsa ish-këshilltarja e Berishës, sipas tij, ka përfituar në emrin e burrit të saj dhjetëra miliona euro.

"Të dy këto janë raste të pastra të konfliktit të interesit me postin publik. Të dy janë raste të pastra korrupsioni, kur pushtetarë përfitojnë miliona si pasojë e shpërdorimit të detyrës. Të dy janë raste që në vazhdën e luftës kundër korrupsionit, kërkesë themelore e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave e zotim publik të Sali Berishës për tre fushata elektorale, duheshin hetuar e vënë përpara drejtësisë", ka theksuar ai.

Heshtjen e kryeministri Berisha për këto dy raste, PS-ja e ka lidhur me përfshirjen e tij në këto afera korruptive. "Në të dyja rastet heshtja e tij është një goditje kundër shtetit ligjor e interesave të shqiptarëve. Në të dyja rastet, faji i tij përpara të gjithë opinionit publik është i qartë, Sali Berisha, sot më tepër se kurrë është pjesë e korrupsionit që ka kapur shtetin", vijoi Deda.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›