E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA kercenohet Mit Romni

 Një zarf i mbërritur në selinë e republikanëve në Frenklin, Tenesi, me një dërgues anonim dhe me një adresë të shkruar me dorë ka tronditur stafin elektoral të Romnit. Kur Xhen Baruik që drejton partinë republikane në kontenë Uilliamson, ka hapur zarfin ka gjetur një usb, që ishte dhe një përpjekje për kërcënim ndaj kandidatit republikan për Shtëpinë e Bardhë. Kjo është konsideruar si një përpjekje për kërcënim ndaj kandidatit për president, pasi personi anonim bën të ditur se ka vjedhur një kopje të dokumentave fiskale të Romnit, pasi ka mundur të hyjë në zyrën e shoqërisë që merret e kontabilitetin e ish-guvernatorit republikan në Frenklin. Ai ka kërkuar që t’i paguhen 1 milionë dollarë deri në fund të muajit shtator, përndyshe do të bëjë publike çdo gjë. Pasi kanë qenë më shumë se një herë argument i përplasjeve elektorale, të ardhurat e Mit Romnit, i cili tashmë është përfshirë edhe në një hetim për evazion fiskal nga ana e prokurorisë së Nju Jorkut, tashmë kjo temë është kthyer në një objekt kërcënimi. Një situatë në të cilën janë përfshirë dhe shërbimet sekrete amerikane. Kërcënuesi në fjalë është i gatshëm të publikojë të ardhurat e Romnit para vitit 2010, pikërisht ato që kandidati republikan nuk ka dashur asnjëherë që t’i bëjë publike, dhe që demokratët e kanë kritikuar shpesh. Por nga zyra e kontabilitetit të Romnit kanë mohuar se mund të jetë vjedhur ndonjë dokument, pasi nuk ka asnjë shenjë. Gjithsesi shërbimet sekrete kanë nisur hetimet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›