E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA mister vdekja e shkencetarit

Hije misteri kanë rënë mbi vdekjen e një shkencëtari të njohur francez në Shtetet e Bashkuara. Richard Descoings, drejtor i prestigjozes “Science Politique”, u gjet i vdekur në rrethana të dyshimta në dhomën numër 723 të hotelit “Michelangelo” të Nju Jorkut.

Shkencëtari ndodhej në Mollën e Madhe për të marrë pjesë në një takim me studentët në Columbia University. Në pritje të rezultateve të autopsisë, asnjë pistë nuk është përjashtuar.

Descoings u gjet nudo në shtratin e dhomës së tij, e cila ishte rrëmujë dhe ku u gjetën gjurmë të konsumit të alkoolit dhe ilaçeve. Ndërsa kompjuteri i tij tip laptop dhe telefoni celular ishin në dysheme.

Një zëdhënës i policisë së Nju Jorkut deklaroi se testet e para post-mortem në trupin e shkencëtarit nuk ishin përfundimtare dhe për rrjedhojë teste të reja do të bëhen. Zyrtari tha gjithashtu se në vendin e ngjarjes nuk janë konstatuar shenja të një krimi.

Descoings, 53 vjeç, ka qenë drejtor i institutit “Science Po”, një nga më elitarët në Francë, që prej vitit 1996. Kolegët e tij dhanë alarmin të martën në mëngjes, pasi ai mungoi në konferencën universitare të sponsorizuar nga OKB-ja.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›