E Diel, 1 Nëntor 2026

Promovohet Historia e Kosovës

Në organizim të Kuvendit Komunal, të mërkurën në Tetovë janë promovuar tre librat për historinë e Kosovës, të autorit Jusuf Buxhovi. Librat përfshijnë periudhën antike dhe mesjetën, periudhën osmane dhe periudhën deri te protektorati ndërkombëtar në Kosovë.

Recensenti i librit, Ramadan Musliu, është ndalur gjerësisht në argumentimin shkencor të librave, që mbështeten në shumë referenca.

“Historia e Kosovës në tre vëllime është një përpjekje kapitale që realizohet rrallë në tre vëllime të këtilla”, tha Musliu, sipas të cilit, kjo vepër pasqyron kornizën historike që ka të bëjë me historinë e popullit shqiptar në përgjithësi.

Ndërkaq, autori, Jusuf Buxhovi, mes tjerash nënvizoi se, pas ndryshimeve aq të shumta çdo popull duhet ta ketë një histori të vetën kritike, që nënkupton rivlerësimin dhe rishqyrtimin.

Promovimin me një fjalë rasti e ka përshëndetur përfaqësuesi i Komunës së Tetovës, Bardhyl Zaimi.

Nga ana tjetër, botuesi i veprës, Ramiz Tafilaj, pohoi se kjo është historia e parë e Kosovës, në të cilën Kosova nuk ndahet nga territoret e tjera shqiptare. Buxhovi ka falënderuar Komunën e Tetovës për këtë organizim.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›