E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, nis gjyqi i të akuzuarve për terrorizëm

Në Karolinën e Veriut të SHBA-së ka nisur procesi kundër shtatë personave, të cilët akuzohen nga autoritetet amerikane për terrorizëm. Në mesin e tyre është edhe 24 vjeçari nga Kosova Hysen Sherifi, i cili ka lejeqëndrim të rregull në Shtetet e Bashkuara. Gjashtë personat e tjerë janë shtetas amerikanë.
Gjatë seancës së parë dëgjimore, prokurorët kanë paraqitur disa incizime, në të cilat i akuzuari Daniel Patrik Bojd, tregonte pasionin e tij për të luftuar për xhihadin dhe janë dhënë dëshmi se ai kishte udhëhequr stërvitjet në Karolinën e Veriut.
Agjenti special, Majkël Suton, që kishte marrë pjesë në hetimet katërvjeçare, të cilat rezultuan me arrestimin e Bojd, dy djemëve të tij dhe katër personave të tjerë, përfshirë edhe Hysen Sherifin, tha se ekziston rreziku që ata të arratisen.
Agjenti Suton tha se disa prej të akuzuarve kishin udhëtuar në Jordani, Kosovë, Pakistan dhe Izrael, gjatë tri viteve të kaluara, për t'u angazhuar në xhihadin e dhunshëm.
Avokatët e shtatë të akuzuarve i kanë kundërshtuar akuzat kundër klientëve të tyre dhe kanë kërkuar lirimin e tyre me pagesë. Procesi vazhdon edhe gjatë ditës së mërkurë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›