SHBA paralajmëron: Rusia mund të sulmojë anijet civile në Detin e Zi dhe të fajësojë Ukrainën

SHBA ka paralajmëruar se Rusia mund të sulmojë anijet civile në Detin e Zi dhe më pas të fajësojë forcat ukrainase, deklaratë që vjen disa orë pasi Moska tha se do të konsideronte të gjitha anijet që lundrojnë në zonë drejt objektivave të mundshme ushtarake në portet ukrainase.
“Ushtria ruse mund të zgjerojë shënjestrimin e objekteve të grurit të Ukrainës për të përfshirë sulme kundër anijeve civile”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adam Hodge. Ai u shpreh se akuza bazohej në inteligjencën e “sapodeklasifikuar”.
Rusia ka sulmuar qytetin port të Odesa-s, duke thënë se raketat e saj synonin objektivat ushtarake në Odesa, por Hodge mbështeti akuzat e Ukrainës se sulmi shkatërroi “infrastrukturën bujqësore dhe 60,000 tonë drithë” të gatshme për eksport.
Sipas zyrtarit të Shtëpisë së Bardhë, këto lloj sulmesh tani mund të zgjerohen në anijet civile. “Rusia po ndërton një operacion për t’i bërë sulme të tilla të duken sikur të ishin kryer nga Ukraina. Informacionet tona tregojnë se Rusia vendosi mina shtesë detare në afrimet drejt porteve të Ukrainës. Ne besojmë se kjo është një përpjekje e koordinuar për të justifikuar çdo sulm kundër anijeve civile në Detin e Zi dhe për të fajësuar Ukrainën për këto sulme”, tha ai.
Më herët, ministria ruse e mbrojtjes tha se të gjitha anijet që lundrojnë në portet ukrainase në Detin e Zi nga mesnata do të konsiderohen si transportues të mundshëm të ngarkesave ushtarake dhe shtetet e tyre “konsiderohen të jenë të përfshira në konfliktin ukrainas në anën e regjimit të Kievit”.
Ukraina tha të mërkurën se po krijonte një rrugë të përkohshme detare nëpërmjet Rumanisë, një nga vendet fqinje të Detit të Zi, me qëllim që të lehtësojë zhbllokimin e transportit ndërkombëtar.
Pakti njëvjeçar i ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia për të siguruar kalim të sigurt për anijet e mallrave nga zona e luftës përfundoi pasi Rusia u tërhoq të hënën.
Pas tërheqjes së saj nga marrëveshja, Moska e kishte akuzuar Ukrainën për përdorimin e korridorit të grurit të Detit të Zi për “qëllime luftarake”./ The Guardian
/rtsh.al/