E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreziku nga temperaturat e larta, zv.kryeministrja Koçiu apelon për kujdes ndaj zjarreve dhe falënderon ekipet në terren

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu u ka bërë apel qytetarëve për kujdes maksimal për të parandaluar vatrat e zjarrit, ndërsa vendi përballet me temperatura të larta. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçiu konfirmoi se Shërbimet Zjarrfikëse dhe strukturat e Mbrojtjes Civile ndodhen në gatishmëri të plotë për përballimin e emergjencave mjedisore.

Kreu i zv.kryeministrisë theksoi se reagimi i shpejtë i strukturave përkatëse ka bërë të mundur neutralizimin e shpejtë të vatrave aktive, duke parandaluar dëme më të mëdha në pronë dhe mjedis.

Gjatë mesazhit të saj, Zëvendëskryeministrja nënvizoi përkushtimin e ekipeve të emergjencës.

“Temperaturat e larta sjellin dhe rrezikun e zjarreve. Ekipet e Shërbimeve Zjarrfikëse dhe ato të Mbrojtjes Civile janë në terren, duke punuar me profesionalizëm për mbrojtjen e jetës, pronës dhe pasurive natyrore. Falë reagimit të shpejtë, koordinimit dhe menaxhimit efektiv të situatave, vatrat e zjarrit janë vënë nën kontroll në kohë rekord, duke shmangur pasoja të rënda.”, shkruan Koçiu.

Duke shprehur mirënjohjen për punën e efektivëve në kushte ekstreme moti, Koçiu kërkoi edhe ndërgjegjësimin e opinionit publik për të mos ndërmarrë veprime me rrezik.

“Mirënjohje për çdo efektiv që, edhe në temperaturat më të larta, vijon të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të Shqipërisë. Të gjithë qytetarët të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr. Bashkëpunimi juaj lehtëson punën e heronjve tanë.”, apelon zëvendëskryeministrja.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›