SHBA pezullojnë dërgesa municionesh në Ukrainë

Administrata Trump po pezullon disa dërgesa armësh në Ukrainë, përfshirë raketat e mbrojtjes ajrore, pas një shqyrtimi të shpenzimeve ushtarake dhe mbështetjes amerikane për vendet e huaja. Lajmi është bërë me dije nga një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.
Zëvendëssekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha se vendimi u mor për të vënë interesat e Amerikës në plan të parë.
Vendimi për të ndaluar disa transferta armësh në Ukrainë vjen gjithashtu pas thirrjes së bërë nga Presidenti Volodymyr Zelensky ndaj aleatëve perëndimorë për forcimin e mbrojtjes së saj ajrore pas intensifikimit të sulmeve ajrore ruse.
Rusia ka nisur sulme ajrore pothuajse çdo natë në Ukrainë në javët e fundit, duke përfshirë qindra dronë dhe raketa. Të dielën, ushtria ukrainase tha se një pilot u vra pasi avioni i tij luftarak F-16 u rrëzua gjatë një sulmi ajror rus.
Pas sulmit, Zelensky tha në mediat sociale se Ukraina është gati të blejë “sisteme amerikane” për të forcuar mbrojtjen e saj ajrore.
SHBA-të kanë qenë donatori më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në vitin 2022, duke furnizuar Ukrainën me sisteme mbrojtëse ajrore, dronë, raketahedhës, radarë, tanke dhe armë anti-blind, duke çuar në shqetësime për pakësimin e rezervave amerikane.
Por balanca e ndihmës për Ukrainën ka ndryshuar ndjeshëm që kur Trump u rikthye në pushtet, duke hedhur dyshime mbi të ardhmen e mbështetjes së SHBA-së për Kievin.
/rtsh.al/