Kujtimet e Del Pontes irritojnë Zvicrën
Ish-shefja e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës po shkakton oshilacione me publikimin e librit të saj mbi vitet që ka qëndruar në krye të Gjykatës. E predispozuar të shmangë një përplasje diplomatike, Zvicra ka ndaluar publikimin e librit të Karla del Pontes, në Milano, të dielën. Ministria e Jashtme zvicerane thotë se deklaratat dhe rrëfimet që lexohen në "Ndjekja, unë dhe kriminelët e luftës", bien ndesh me statusin e autores si zyrtare e qeverisë së Zvicrës. Në librin e saj, Del Ponte, tani ambasadore e Zvicrës në Argjentinë, flet për problemet me të cilat ajo ishte ndeshur gjatë përndjekjes së kriminelëve të luftës në Ballkan. Një numër pretendimesh ndaj politikanëve në territoret e asaj që dikur ishte ish-Jugosllavia, kanë shkaktuar ndërkohë zemërim sipas mediave zvicerane. Zvicra ishte në fakt një ndër vendet e para që kanë njohur pavarësinë e shpallur nga Kosova, më 17 shkurt. Dhe pjesë të këtij libri, përmbajnë edhe akuza kundër disa prej shefave që sot udhëheqin vendet ballkanike, përfshirë Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, një ish-lider të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohet prej saj se ka qenë në dijeni dhe madje ka mbikëqyrur rrëmbimin e burrave serbë, organet e të cilëve më pas shiteshin. Gjithsesi, asnjë provë nuk është gjetur asnjëherë për të mbështetur këto akuza në gjykatë. Dhe pikërisht ky pasazh i librit, ka irrituar Bernën, e cila nuk do të donte që të prishte marrëdhëniet e ngushta dhe të mira me ish-provincën serbe, Kosovën. Si pasojë, ambasadorja zvicerane në Buenos Aires, është thirrur të kthehet sa më shpejt në detyrë dhe të harrojë librin e saj. Del Ponte, që kryesoi Gjykatën Penale të Krimeve të Luftës për ish-Jugosllavinë, nga viti 1999 e deri në 2007-n, rregullisht ka fajësuar shtetet, përfshirë edhe Serbinë, për mungesën e bashkëpunimit në kapjen dhe dërgimin në Hagë të kriminelëve të luftës. Karla del Ponte është në fakt një imazh i njohur në Ballkan. Ish-prokurorja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Hagës, tashmë e shndërruar në diplomate, ka pasur kohë të mjaftueshme që përvojën e saj në Gjykatë, ta hedhë në letër.