SHBA ratifikon kredinë 302 milionë dollarë për Shqipërinë, Nufi: Hap historik në modernizimin e mbrojtjes shqiptare

Shtetet e Bashkuara kanë ratifikuar zyrtarisht Marrëveshjen e Huasë në vlerën e 302 milionë dollarëve për Shqipërinë, në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF), një financim që synon modernizimin e kapaciteteve ushtarake të vendit dhe forcimin e rolit të tij në kuadër të NATO-s.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili e cilësoi këtë zhvillim si një votë të rëndësishme besimi strategjik të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë dhe një hap historik për forcimin e mbrojtjes kombëtare.
“Departamenti i Shtetit njofton zyrtarisht ratifikimin e Marrëveshjes së Huasë prej 302 milionë dollarë në Kuadër të Programit Foreign Military Financing (FMF). Votë besimi strategjike e SHBA-së 🇺🇸 ndaj Shqipërisë dhe një hap historik në modernizimin e mbrojtjes shqiptare”, shkruan Nufi.
Ai shpreh gjithashtu mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara për partneritetin strategjik dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se financimi do të përshpejtojë modernizimin e Forcave të Armatosura, do të rrisë gatishmërinë operacionale dhe do të forcojë kontributin e Shqipërisë në sigurinë kolektive të Aleancës.
“Mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës 🇺🇸 për partneritetin e palëkundur strategjik dhe mbështetjen e vazhdueshme në ndërtimin e një mbrojtjeje më të fortë për Shqipërinë, rajonin e më gjerë. Kjo mbështetje do të përshpejtojë modernizimin e kapaciteteve tona ushtarake, do të rrisë gatishmërinë operacionale dhe do të forcojë kontributin e Shqipërisë për sigurinë kolektive të Aleancës”, thekson Ministri.
Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi zyrtarisht marrëveshjen, duke bërë të ditur se kredia prej 302 milionë dollarësh do të ndihmojë Shqipërinë në përmbushjen e angazhimit të marrë në Samitin e Hagës për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.
Sipas njoftimit, fondet e programit FMF do të përdoren për prokurimin e kapaciteteve kryesore ushtarake me origjinë nga Shtetet e Bashkuara, duke modernizuar Forcat e Armatosura shqiptare dhe duke forcuar njëkohësisht aftësinë mbrojtëse të aleatëve evropianë.
“Sot, Shtetet e Bashkuara janë krenare të njoftojnë ratifikimin dhe nënshkrimin nga Shqipëria të një kredie të re prej 302 milionë dollarësh për Financimin e Huaj Ushtarak (FMF), e cila do të mbështesë progresin e Shqipërisë drejt përmbushjes së Angazhimit të Mbrojtjes të Hagës për të shpenzuar 5 përqind të PBB-së për mbrojtje deri në vitin 2035. Kredia e FMF-së do të ndihmojë në modernizimin e forcave të armatosura të Shqipërisë duke mbështetur prokurimin e kapaciteteve kryesore me origjinë nga SHBA-ja dhe duke forcuar aftësinë e Evropës për të udhëhequr mbrojtjen e vet. Si një aleate e NATO-s, Shqipëria është lidhur ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çështje kritike të politikës së jashtme, duke përfshirë edhe rolin e anëtares themeluese të Bordit të Paqes të Presidentit Trump”, shkruhet në faqen e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.
/rtsh.al/