E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA reagon per qendrimet nacionaliste ne Ballkan

Shtetet e Bashkuara shprehin shqetësimin për rritjen e qëndrimeve nacionaliste në Ballkan. Nënsekretari amerikan i shtetit Eric Rubin, ka deklaruar nga Selaniku se në Ballkan ekziston rreziku nga shkëndijat nacionaliste dhe se të gjithë janë në dijeni mbi efektet në të kaluarën. Agjencia greke e lajmeve AMNA, raporton se zyrtari i lartë amerikan u shpreh se ekziston rrezik, nëse rigjallërohen disa tendenca negative të së kaluarës. Rubin, tërhoqi vëmendjen për “idetë ekstremiste”, që siç tha, “lindin” atëherë kur njerëzit vuajnë. Ai tërhoqi vëmendjen mbi nevojën e një fronti solid kundër dhunës dhe mungesës së tolerancës.
Ndërkaq, mediat shqiptare raportojnë se Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, përmes një memoje, dërguar Ministrisë sonë së Punëve të Jashtme, shprehet e shqetësuar se liderët shqiptarë, po i largohen rolit tradicional konstruktiv që Shqipëria ka luajtur në rajon. Në këtë dokument thuhet se këto deklarata jo vetëm nxisin sjellje gjaknxehta dhe tërheqin vëmendjen nga përparësitë e vërteta të rajonit, por gjithashtu potencialisht nxisin dhunën, gërryejnë paqen dhe stabilitetin. Ambasada amerikane shprehet se Shqipëria mund dhe duhet të jetë një fqinj i përgjegjshëm dhe bashkëpunues, por politikanët e saj duhet fillimisht t’i rrinë larg tundimit për të luajtur kartën nacionaliste.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›