E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA rrit presionin, konferencë në Uashington për zgjedhjet shqiptare

Gazeta Shqip

Drejtori i Zyrës për Europën Jugore dhe Qendrore në DASH, Jonathan Moore, i pranishëm në aktivitetin e nesërm 

Fatjona Mejdini

Njerez duke Votime_ZgjedhjeShtetet e Bashkuara të Amerikës po vijojnë të tregojnë interes të madh për zgjedhjet shqiptare dhe formave sesi ndërkombëtarët mund të ndihmojnë në mënyrë që ato të jenë të lira dhe të ndershme. Nesër, në kryeqendrën e politikës amerikane, Uashington DC, tri organizata të rëndësishme ndërkombëtare do të zhvillojnë një konferencë të titulluar Zgjedhjet shqiptare të qershorit, një test kyç për demokracinë. Në konferencën e organizuar nga organizata Ndihma kombëtare për demokraci, fondacioni Shoqëria e hapur dhe nga Instituti Demokratik për Punët e Jashtme (NDI) merr pjesë dhe drejtori i Zyrës për Europën Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore. Pak ditë më parë, ai ishte në Tiranë në një vizitë e cila kishte në qendër situatën e rënduar parazgjedhore, si pasojë e vendimit të mazhorancës për të zëvendësuar një anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në konferencë merr pjesë dhe drejtuesi i Koalicionit Vendor për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, Dritan Taulla, përfaqësuesi i NDI-së, Robert Benjamin, si dhe analisti politik i mirënjohur Janusz Bugajski. Në qendër të diskutimeve që do të mbahen nesër, pritet të jenë roli i partive politike dhe i shoqërisë civile në kuadër të kontributit në një garë zgjedhore transparente dhe demokratike. Pjesë e diskutimeve do të jenë dhe mënyrat sesi komuniteti ndërkombëtar mund të ndihmojë për të pasur një proces zgjedhor të besueshëm. Një çështje që pritet të hapë diskutime është dhe funksionimi aktual i KQZ-së në kushtet kur vetëm katër prej shtatë anëtarëve vijojnë punën. Konferenca pritet të theksojë rolin e rëndësishëm që kanë zgjedhjet e qershorit në vijimin e demokratizimit të vendit dhe në vijimin e procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Është interesant fakti se për organizatat që zhvillojnë këtë konferencë, zgjedhjet shqiptare kanë qenë gjithmonë problematike dhe se gjatë sistemit pluralist ato pothuajse janë kontestuar gjithnjë nga pala tjetër. Kjo konferencë pritet të dalë me disa rekomandime mbi zgjedhjet shqiptare. Interes të madh në të ka dhe qëndrimi i zyrtarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Moore, i cili në deklaratën e mbajtur pas takimeve që zhvilloi me politikanët shqiptarë ishte shumë kritik rreth zhvillimeve në fushatën zgjedhore. Në Tiranë ai theksoi se SHBA janë të shqetësuara nga tensioni i lartë politik në vend në prag të zgjedhjeve. Sipas tij, është e rëndësishme që populli të ketë besim në këto zgjedhje dhe në rezultatin e tyre. Ai theksoi si të rëndësishme nevojën për të pasur sa më shumë vëzhgues të huaj në vend për procesin zgjedhor të 23 qershorit.

 

Raporti

DASH: KQZ, një institucion partiak

departamenti i shtetit amerikan 1Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e tij të publikuar vetëm pak ditë më parë për Shqipërinë, thekson faktin se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është një institucion thellësisht partiak që minoi besimin e qytetarëve. Institucione shtetërore thellësisht partiake, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, minuan të drejtat e qytetarëve për të sfiduar drejtpërdrejt ligjet dhe për të marrë pjesë plotësisht në qeverisjen e tyre, theksohet me tone të ashpra dhe kritike në raport. Në këtë raport DASH sjell në vëmendje edhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, duke theksuar se ato ishin më të mira se zgjedhjet e mëparshme në vend, por nuk realizuan plotësisht angazhimet e OSBE-së.

SHBA rrit presionin, konferencë në Uashington për zgjedhjet shqiptare burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›