Topi: Asnjë koalicion as me PD dhe as me PS
Ish-presidenti
Hidhet ideja për krijimin e një poli të tretë politik
Fryma e Re Demokratike përjashton mundësinë e koalicionit parazgjedhor me njërën prej dy partive tradicionale, Socialiste apo Demokratike. Kreu i FRD-së, Bamir Topi, gjatë takimi elektoral në qytetin e Korçës përjashtoi çdo mundësi të bashkëpunimit me PD-në, por edhe me forcën kryesore të opozitës, PS-në. Ai theksoi se po shqyrton disa alternativa, kur ka edhe dy ditë kohë për të vendosur për koalicionet politike. Ish-presidenti mohoi të ketë pasur ndonjë ftesë nga PD-ja, ku lideri i saj, Berisha, paralajmëroi krijimin e një koalicioni politik të së djathtës së bashkuar dhe të qendrës. Për sa u takon aleancave që FRD mund të ketë, Topi tha se aleanca më e rëndësishme është ajo me qytetarin dhe se FRD është e përgatitur të dalë dhe e vetme në zgjedhjet e 23 qershorit si një parti me struktura të konsoliduara në çdo njësi administrative. Sipas tij, partitë e tjera janë bërë shtojca të partive të mëdha duke iu bashkangjitur koalicioneve të tyre politike. Por ndërkohë, ditët e fundit po përflitet një koalicion të mundshëm politike mes FRD-së dhe AK-së, si dy forca të reja të krijuara në skenën politike shqiptare. Ky koalicion mund të marrë jetë vetëm nëse AK-ja nuk arrin një pakt me PS-në. Por gjithçka pritet të përcaktohet në ditët në vijim. Përfaqësues të dy partive FRD dhe AK mësohet se kanë kryer disa bisedime paraprake dhe vazhdojnë të jenë në kontakte. Frymës së Re Demokratike për nga llogaritja e votave, i leverdis më tepër të dalë e vetme në këto zgjedhje sesa me parti që nuk kanë peshë të madhe në elektorat. E vetme FRD-së mund ti nevojiten më pak se 11.200 vota, ndërsa si koalicion i nevojitet të marrë 19.000 vota si forcë politike. Kjo për faktin se si koalicion politik duhet të marrë 5% të votave si prag elektoral.
Topi: Asnjë koalicion as me PD dhe as me PS burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email