Skenarët për KQZ-në, në tryezë pas 23 prillit
Dorëhiqet dhe Jani. Ndërkombëtarët në negociata me partitë, tryeza PD-PS, pas krijimit të koalicioneve
3 anëtarë - Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë dhënë dorëheqjen tre anëtarët Biba, Shtylla dhe Jani. Ata u propozuan nga dy partitë e opozitës PS dhe PBDNJ. Opozita nuk ka përfaqësues të saj në KQZ
4 anëtarë - Aktualisht në detyrë janë katër anëtarë: Lefterije Lleshi, Klement Zguri, Hysen Osmanaj dhe Vera Shtjefni, të mbështetur dhe propozuar nga dy parti politike, Partia Demokratike dhe ajo Republikane
1 shkarkim - Partia Demokratike ndërmori në Kuvend, pas ikjes së LSI nga koalicioni, nismën për shkarkimin e anëtarit Ilirjan Muho si anëtar i KQZ-së. Ai u propozua në këtë institucion nga LSI-ja
Tryeza e PD-PS me praninë e ndërkombëtarëve mund të vendosë piketat nëse zgjidhja e ngërçit të KQZ-së do të jetë rikompozimi apo mund të pasohet me prekje dhe të Kodit
Ndërkombëtarët - BE dhe SHBA kanë shprehur shqetësimin për situatën e krijuar pas shkarkimit me dhunën e kartonit të PD-së të anëtarit të KQZ-së, Muho
BLEDAR HOTI
Rikompozim apo plotësim i vendeve vakante të KQZ-së? Kjo është përplasja më e madhe mes dy kampeve të politikës shqiptare, e cila mund të marrë zgjidhje vetëm pas datës 23 prill. Kjo datë lidhet pikërisht me aleancat politike që PD dhe PS do të realizojnë me aleatët e tyre. Këto koalicione do të paraqiten zyrtarisht pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në afatin ligjor për regjistrimin, më datën 23 prill. Burime pranë dy selive bëjnë të ditur se përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar gjatë këtyre ditëve janë duke ndërmjetësuar për arritjen e një zgjidhjeje, por krijimi i koalicioneve mban peng mundësinë e uljes së një tryeze të përbashkët PD-PS për çështjen e anëtarëve të KQZ-së. Ekspertët zgjedhorë demokratë dhe socialistë kanë pasur takime intensive këto ditë duke dhënë qëndrimet e tyre për mënyrën e zgjidhjes së kësaj krize. PS ndërkohë nuk tërhiqet nga skema e saj, rikompozimin e KQZ-së. Një skemë që mbase nënkuptohet me rizgjedhjen e shtatë anëtarëve të këtij institucioni. Ndërsa PD-ja nuk e pranon rikompozimin e KQZ-së. Partia në pushtet i qëndron mendimit që PS-ja duhet të risjellë emrat dhe të plotësojë vendet vakante. I gjithë ngërçi lidhet me PBDNJ-në, partinë që e cila nuk e ka vendosur ende se me cilin koalicion do të rreshtohet, me PD-në apo me PS-në.
Dorëhiqet Jani
Pasi ngriu fillimisht marrëdhëniet me këtë institucion, anëtari Jani Jani bëri publike dje dorëheqjen si anëtar i KQZ-së. Në letrën drejtuar kryekomisioneres dhe Kuvendit, Jani shprehet se zhvillimet e dhjetëditëshit të fundit brenda e jashtë KQZ-së, nga njëra anë, ku njëri prej anëtarëve u shkarkua nga Kuvendi dhe dy të tjerë dhanë dorëheqje për shkak të cenimit të integritetit, pavarësisë dhe ushtrimit të mandatit të anëtarit, si edhe vazhdimin e situatës dhe mungesën e një reflektimi real dhe të dukshëm nga politika dhe nga ana tjetër, pamundësia për të mos qenë indiferent edhe ndaj asaj që është nënvizuar në raportin e Departamentit të Shtetit për institucione shtetërore skajshmërisht të politizuara përfshi edhe KQZ-në, po minojnë të drejtat e qytetareve për të marrë pjesë në qeverisje, më imponojnë të jap edhe unë dorëheqjen nga detyra e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në tekstin e dorëheqjes, Jani shprehet se unë dhe kolegët e mi u betuam para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në nderin tonë për realizimin e zgjedhjeve të drejta, të lira dhe demokratike. Dhe këtë gjë, besoj se e kemi bërë deri më sot të pandikuar nga askush, veçse nga germa dhe fryma e ligjit. Punën dhe përkushtimin e derisotshëm në zbatimin e Kodit Zgjedhor dhe në realizimin e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të pakontestueshme jua lë në gjykimin e qytetarëve dhe strukturave institucionale. Ikja e Jani Janit mund ta bëjë dhe më të lehtë zgjidhjen e ngërçit të KQZ-së, pasi nëse PBDNJ-ja do të qëndrojë në koalicionin me PS-në, atëherë PS mund të marrë dy anëtarët e saj sipas kodit dhe anëtari i tretë mund ti kalojë LSI-së, duke bërë rokadën me PBDNJ-në. Ndërkohë që tryeza e PD-PS me praninë e ndërkombëtarëve mund të vendosë piketat nëse zgjidhja e ngërçit të KQZ-së do të jetë çështje rikompozimi apo mund të pasohet me prekje dhe të Kodit Zgjedhor, gjë që duket e parealizueshme, pasi nuk mund të ndryshohen rregullat e lojës, kur ajo tashmë ka nisur.
Skenarët për KQZ-në, në tryezë pas 23 prillit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email