SHBA sanksionon tre zyrtarë të Republikës Srpska

Departamenti Amerikan i Thesarit, ka sanksionuar tre zyrtarë të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë.
Sipas njoftimit të bërë publik të mërkurën (13 mars)bëhet e ditur se zyrtarët e sanksionuar të RS-së kanë ndihmuar përpjekjet e Dodik-ut për të minuar Marrëveshjen e Dejtonit, autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të BeH-së dhe të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në BeH, në këtë rast, Christian Schmidtt.
Të tre personat, sipas Departamenti Amerikan i Thesarit,kanë kontribuar në përpjekjet e Presidentit ultra-nacionalist të RS-së, Millorad Dodik, për të minuar paqen dhe Marrëveshjen e Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995), duke organizuar aktivitetin antikushtetues; “Ditën e Republikës Srpska”, më 9 janar.
“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara lidhur me përpjekjet e vazhdueshme për të minuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës, dy institucione kritike që kanë qenë instrumentale për paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka deklaruar nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Brian Nelson.
“Ne do të vazhdojmë të mbajmë përgjegjës të gjithë ata që synojnë të ndjellin përçarje për të arritur qëllimet e tyre politike në kurriz të popullit të Bosnje Hercegovinës”, shtoi ai.
Tre individët e sanksionuar ishin anëtarë të komitetit përgjegjës për organizmin e aktiviteteve për shënimin e kësaj dite anti-kushtetuese.
Gjithashtu mësohet se me lehtësimin e shënimit të kësaj feste jokushtetuese, këta tre persona me vetëdije kundërshtuan konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të përfaqësuesit të lartë dhe “shfaqën hapur përbuzjen për Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit”.
SHBA-të theksuan se këto sanksione janë në përgjigje edhe të incidenteve të mëhershme, ku këta zyrtarë ishin përfshirë në aktivitete “që minonin stabilitetin rajonal.
“Këto veprime janë pjesë e përpjekjeve më të gjera të Qeverisë amerikane për të promovuar paqe, stabilitet dhe qeverisje demokratike e funksionale në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, u tha në njoftimin e Thesarit.
Edhe vetë presidenti i RS-së Dodik është i sanksionuar nga ShBA-të, për shkak të veprimeve të tij de-stabilizuese dhe kundër Marrëveshjes së Dejtonit.
Përveç ShBA-ve, autoritarin Dodik e ka sanksionuar edhe Mbretëria e Bashkuar, derisa një vendim të tillë po kërkohet që ta marrë edhe Bashkimi Evropian.
/rtsh.al/