E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, sekretari Gates do të qëndrojë në detyrë edhe me Obamën

Uashington -Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, do të qëndrojë në postin e Sekretarit të Mbrojtjes edhe pas ardhjes në pushtet të presidentit të ri Barack Obama. Mediat amerikane bëjnë të ditur se Gates ka dhënë pëlqimin e tij për të qëndruar në krye të detyrës, por lajmi do të konfirmohet zyrtarisht ditët në vijim.

Kanalet e televizionit ABC News dhe CNN pohojnë se Gates, që është shumë i respektuar, do të qëndrojë në Pentagon gjatë vitit të parë të Obamës në pushtet, që do të marrë detyrën më 20 janar, dhe do të ngarkohej me konkretizimin e premtimit për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku, premtim që është bërë nga Obama gjatë fushatës elektorale.

Të pyetur nga AFP-ja, bashkëpunëtorët e Obamës nuk e konfirmuan menjëherë këtë informacion. Sipas Politico-s, faqe internetit, Gates do të bëjë pjesë në një sërë personalitetesh të shquara, emërimi i të cilëve do të bëhet javën e ardhshme, veçanërisht ai i James Jones, ish-komandant i NATO-s, në postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›