SHBA sekuestron avionin e presidentit të Venezuelës

Autoritetet amerikane sekuestruan në ishujt Karaibe një aeroplan të përdorur nga Presidenti i Venezuelës Nikolas Maduro. Avioni u dërgua nga Republika Domenikane në Florida, pasi Departamenti i Drejtësisë tha se blerja e tij shkelte sanksionet e amerikane.
Sekuestrimi i avionit erdhi ndërsa është rritur trysnia mbi Presidentin venezuelian si brenda ashtu edhe jashtë vendit lidhur me zgjedhjet e 28 korrikut, të cilat ai pretendon se i ka fituar. Por opozita në Venezuelë thotë se zgjedhjet u fituan nga kandidati i saj Edmundo Gonazela. Presidenti Maduro, bashkëpunëtorët e tij dhe sektori i naftës në Venezuelë, shtetin anëtar të OPEC-ut janë sanksionuar nga Shtetete Bashuara.
Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara tha se avioni i Maduros u ble në mënyrë të paligjshme për 13 milionë dollarë përmes një kompanie guaskë dhe u nxor kontrabandë nga territori amerikan për t’u përdorur nga presidenti venezuelian dhe miqtë e tij. “Vitin e kaluar aeroplani u eksportua ilegalisht nga Shtetet e Bashkuara për në Venezuelë, përmes Karaibeve, e që nga ajo kohë është përdorur për qëllimet e Maduros dhe përfaqësuesve të tij, përfshirë për vizitat në vende të tjera”, – tha Departamenti i Drejtësisë.
Një hetim i Departamentit të Drejtësisë tregoi se persona të lidhur me Maduron dyshohet se përdorën një kompani guaskë me bazë në Karaibe për të fshehur përfshirjen e tyre në blerjen e paligjshme të avionit. Ndërkohë republika Domenikane tha se nuk ka marrë pjesë në hetimin e Shteteve të Bashkuara për aeroplanin e Maduros. Ministri domenikan i Punëve të Jashtme tha se qeveria nuk mori pjesë në hetimin amerikan që çoi në sekuestrimin në Santo Domingo të një avioni të përdorur nga presidenti venezuelian Nicolas Maduro. “Aeroplani ishte në territorin tonë për mirëmbajtje”, sqaroi ministri i Jashtëm Roberto Alvarez.
Gazetare Vjollca Zharri
/ rtsh.al /