E Enjte, 5 Nëntor 2026

SHBA shmang një vlerësim të përgjithshëm për qeverinë talebane

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price ka thënë se janë të kënaqur që një avion udhëtarësh përfshirë shtetas amerikanë të “Qatar Airways” është lejuar të largohet nga Afganistani, por ka shmangur një vlerësim pozitiv rreth talebanëve që kanë marrë kontrollin e qeverisë në Kabul.

Në një konferencë për media, Price tha se një avion i “Qatar Airways” bashkë me shtetas amerikanë dhe shumë persona që kanë leje qëndrimi në SHBA janë larguar nga Afganistani dhe se janë të kënaqur nga kjo.

I pyetur nëse kanë treguar apo jo talebanët fleksibilitet në lejimin e shtetasve amerikanë dhe personave që duan të largohen nga Afganistani, zëdhënësi Price tha:

“Nuk jemi gati të bëjmë një përgjithësim (lidhur me talebanët). Ajo që bëjmë është të karakterizojmë ato që shohim dhe ngritja e avionit të ‘Qatar Airways’ ishte kategorikisht një hap që është mirëpritur. Padyshim se kjo është diçka që ne jemi të lumtur që e shohim. Ashtu sikur e kemi thënë më parë, këto hapa shtesë do të mirëpriten jo vetëm nga SHBA-ja por në të njëjtën mënyrë edhe nga komuniteti ndërkombëtar”.

Ai shtoi se komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë t‘i mbajë talebanët përgjegjës për angazhimet e tyre publike dhe private dhe se këtë mund ta bëjnë dokumentet e atyre që dëshirojnë të largohen nga vendi.

Në pyetjen ku i rikujtohet se pothuajse e gjithë qeveria talebane përbëhet nga anëtarët talebanë dhe se ministri i Brendshëm ndodhet në listën e të kërkuarve nga SHBA-ja, Price u përgjigj: “Reagimin tonë për qeverinë e përkohshme e kemi deklaruar më parë. E kaluara e disa personave që janë përfshirë në qeveri është burim shqetësimi. Kjo situatë nuk reflekton kategorikisht atë që komuniteti ndërkombëtar dhe SHBA-ja si pjesë e saj dëshirojnë të shohin”./AA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›