E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA sinjalizon bllokadë detare ndaj Iranit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Mike Waltz, ka deklaruar se SHBA-ja mund ta mbajë bllokadën detare kundër Iranit për një “të ardhme të parashikueshme”.

Në një intervistë për gazetën prestigjioze Financial Times, diplomati i lartë amerikan nënvizoi se fushata e ashtuquajtur e “presionit maksimal” mbi Teheranin po vjen vetëm duke u ashpërsuar. Ai shtoi se qeveria iraniane po vazhdon të vuajë në mënyrë të konsiderueshme nën këtë presion të gjithanshëm ekonomik dhe ushtarak.

Deklaratat e Waltz konfirmojnë se forcat detare amerikane kanë kapacitetin e nevojshëm për të mbajtur të bllokuara rrugët kryesore tregtare dhe portet iraniane. Ky izolim synon të godasë drejtpërdrejt eksportet e naftës dhe burimet kryesore financiare të regjimit, duke e detyruar Teheranin të reflektojë mbi aktivitetet e tij rajonale dhe programin bërthamor.

Me këtë qëndrim, Uashingtoni bën të qartë se nuk planifikon të tërheqë trupat apo të zbusë masat shtrënguese pa arritur një marrëveshje përfundimtare, duke sinjalizuar se kjo përplasje mund të zgjasë edhe për një periudhë të panjohur kohore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›