E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-të përgatiten për të ndërhyrë ushtarakisht në Siri

Pentagoni është duke afruar më shumë forcat e armatosura drejt Sirisë, në një kohë kur SHBA-të po e shohin mjaft seriozisht mundësinë e ndërhyrjes në luftën civile.

Lajmin e ka bërë të ditur Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel. Ai nuk ka dhënë detaje të tjera, por mediat amerikane raportojnë se flota amerikane ka marrë përforcime në lindje të Mesdheut.

Ditën e premte, Presidenti Barack Obama tha se raportimet për përdorimin e armëve kimike nga ana e qeverisë siriane përbënin një shqetësim mjaft të madh.

Nga ana tjetër, Rusia, e cila shihet si një nga aleatet kryesore të Sirisë, tha se ka prova që pas sulmeve me armë kimike fshihen rebelët.

Gjithsesi, opozita siriane ka deklaruar se me qindra njerëz janë vrarë nga sulmet qeveritare në Damask ditën e enjte. Edhe pas thirrjeve të shumë shteteve, nuk ka ende asnjë shenjë nga Siria që të sugjerojë se do të lejojë një grup hetimor të OKB-së që të hetojë përdorimin e armëve kimike.  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›