E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA zgjeron operacionet ushtarake në Afrikë

Shtetet e Bashkuara po zgjerojnë praninë ushtarake në Afrikë, për t’iu kundërvënë ndikimit në rritje të Al-Qaidës tek popullata e rajonit të Magrebit në Afrikën Veriore dhe grupeve të tjera militante në zonën veriore dhe perëndimore të kontinentit.

Por zyrtarët amerikanë nuk konfirmojnë njoftimet se përpjekjet anti-terroriste në atë rajon kanë filluar para sulmit të muajit të kaluar, në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë, ku gjetën vdekjen 4 amerikanë.

Shqetësimet amerikane kanë qenë në rritje, ndërsa militantët kanë marrë nën kontroll pjesë të mëdha të Malit, madje bënë të ditur praninë e tyre në mbarë rajonin nëpërmjet një fushate bombardimesh dhe sulmet të tjera nga Nigeria, deri në Libi.

Sulmi, që goditi më rëndë Shtetet e Bashkuara ishte vrasja e ambasadorit amerikan në Libi, Christopher Stevens dhe 3 amerikanëve të tjerë, në një sulm kundër konsullatës amerikane në Bengazi. Sekretari i Mbrojtjes, Leon Panetta konfirmoi kohët e fundit se sulmi në Bengazi ishte një operacion terrorist.

Që prej sulmit në Bengazi, Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar ekipe të përgjigjes së shpejtë në ambasadat amerikane në Libi dhe Jemen.

Para sulmit, Pentagoni kishte filluar punën për zgjerimin e pranisë së tij në Afrikën Veriore, duke dërguar ekipe të vogla me forca të operacioneve speciale dhe personel tjetër për të ndihmuar dhe stërvitur ushtritë e disa vendeve afrikane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›