SHBA:Zbarkimi në Durrës, s`lidhet me ngjarjet në rajon

Ambasada Amerikane në Prishtinë ka sqaruar se zbarkimi i anijës së flotës ushtarake detare Amerikane në Durrës nuk ka asnje lidhje me ngjarjet e fundit në rajon.
“Zbarkimi i anijës USS Gunston Hall do të bëhet në Durrës prej 24 deri 27 Prill, për një vizitë të rregullt dhe të planifikuar të portës. Kjo vizitë i shërben Flotës së 6-të Amerikane, të vazhdojë përpjekjet në ndërtimin e partneritetit global bregdetar me shtetet evropiane si dhe të përmirësojë sigurinë dhe mbrojtjen bregdetare”, thuhet në njoftim.
Ambasada saktëson se bëhet fjalë për një vizitë të rregullt dhe të planifikuar. “Një vizitë e tillë, ofron një vendtakim të mrekullueshëm për ndërtimin e njohurive të përbashkëta të taktikave, profesionalizmit, mirëkuptimit kulturor dhe besimit bregdetar. Ato nënvizojnë partneritetin tonë në rritje, i cili kërkon solucione kooperative që kontribuojnë mbrojtjes së regjionit. Për më tepër, këto vizita ndihmojnë në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve tona. Gjatë qëndrimit në port, ekuipazhi i anijës do të bëjë punë bamirësie”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.