SHENIM/ A i bën Berisha për nacionalizëm këto deklarata?
Pas publikimit të qëndrimit të Sali Berishës për Palestinën, një sërë komentesh, kryesisht nga lexues kosovarë, kanë mbërritur në blogun e gazetës Tema. Ata mendojnë se deklarata e Berishës ka tone patriotizmi për shkak se palestinezët kanë mbajtur qëndrime të forta kundër Kosovës. Nuk po zgjatemi e të përsërisim atë që kemi thënë se Berisha e ka lëpirë atë që ka thënë për Palestinën pasi ka nisur një përgënjeshtrim. Por për ters ka përgënjeshtruar mediat shqiptare e jo ato izraelite. Pse? Sepse i duhet të mbajë ison atje në Izrael, ku çirret me sa të mundet kundër armiqve të Izraelit. Mirëpo këtë hile ia kanë kuptuar shumë mirë mediat izraelite. Jerusalem Post shkruan sot se megjithëse politikanët duhet të shohin nga e tashmja dhe e ardhmja, Berisha na foli për të shkuarën. Në qarqet politike theksi është më shumë në të tashmen dhe të ardhmen sesa në të kaluarën. Por kur kryeministri shqiptar Sali Berisha iu drejtua Këshillit Izraelit për Marrëdhënie me Jashtë, ai preferoi të jetojë në të kaluarën, duke mos harruar qëllimin kryesor të vizitës së tij në Izrael: rekrutimin e investitorëve financiare, shkruan gazeta. D.m.th të kuptohet qartë, hebrenjtë tallen me të, se e dinë që ka ardhur për para dhe flet broçkulla. Nuk ka qëllim tjetër në vetvete përveç parasë, kudo që shkon. Ndaj ia kujtojnë në Izrael abstenimin për Palestinën, që e futi atë në UNESCO. Sigurisht ia theksojnë fort se Kosovën nuk do e njohin ndonjëherë. Nuk ka nacionalizëm tek ai njeri dhe qeveria e tij. Ata mundohen tani që në çdo aktivitet e në çdo mundësi të kapin ndonjë dorë parash. Janë të dëshpëruara për to. Për para e mbështetje politike shesin gjithçka. Siç shitën detin.