SHENIM/ A jemi kaq të mirë në arsim dhe ku na prishet zinxhiri
Ka disa ditë që mediat angleze shkruajnë në lidhje me disa studime për arsimin. Nuk e fshehin aspak shqetësimin se janë më keq Shqipëria, një vend që përdoret shpesh si etalon i të keqes. Mediat tona kanë kopjuar artikujt e tyre, sidomos disa pronarë universitetesh (kjo fjalë të ngjall krupën), të cilët kanë mediat e tyre, dhe thjesht na shpallin se jemi më të mirët në botë në arsim. Pa asnjë analizë, pa thënë diçka më shumë, njësoj si kryeministri ynë që na shpall të parët në botë për ekonomi, turizëm, bukuri natyrore etj. Por si është e vërteta e këtyre studimeve?
Dikush që lexon rregullisht mediat britanike, por edhe ato të vendeve të tjera perëndimore, e kupton shqetësimin e madh që kanë këto vende për arsimin e brezit të ri, sidomos të fëmijëve deri në adoleshencë. Britanikët nuk e kanë problem tu flasë kush për cilësinë e universiteteve, sepse e dinë se ato i kanë ndër më të mirët në botë. Por kur bie puna tek fëmijët e adoleshentët, atëherë shqetësohen shumë. Kështu ka ndodhur edhe me këto studime. Në këtë rast bëhet fjalë për Indeksin Global të Konkurrueshmërisë, që përgatitet nga Forumi Ekonomik Botëror. Në të vërtetë analizohen shumë tregues dhe është shumë vështirë të thuash që Shqipëria është më mirë në arsim se Britania. Por në disa aspekte jemi mirë. Dhe po të analizosh me kujdes të dhënat dhe po të shohësh shqetësimin e anglezëve, të fiksuar pas edukimit të fëmijëve dhe adoleshentëve, e kupton se kemi disa përparësi në arsimin fillestar. Kështu, kemi fëmijë të dhënë pas matematikës dhe që lexojnë shumë jashtë shkolle, diçka që nuk ndodh fjala bie në universitetet tona. Mund të ketë shumë arsye për këtë gjë, por ka shumë që thonë se kjo është trashëgimi e shkollës së rreptë të periudhës komuniste. Po të shohësh dëshirën që kanë prindërit e sotëm për të siguruar për fëmijët e tyre mësues të vjetër të asaj periudhe, e kupton se ku rreh situata. Mirëpo ndërsa zinxhiri vijon kaq mirë në shkollat fillestare, ai prishet e madje shkatërrohet krejt kur vjen puna tek shkollimi i lartë. Universitetet tona renditen në mënyrë skandaloze në botë. Çfarë ndodh? Duket se zinxhiri prishet në fund të adoleshencës dhe në nisje të rinisë, aty ku kemi shanse ta forcojmë atë. Siç raporton edhe ambasada amerikane, njerëzit bëhen dembelë, ushqehen gjithandej me shembuj të pasurimit të shpejtë dhe përplasen në shkolla të larta, ku diplomën e merr siç ta do trapi. Atë pafajësi, atë pasion dhe dëshirë për mësimin, të marrë në fëmijëri, e përballim me realitetin e zymtë të pasurimit të shpejtë, ku feja e parë është paraja. Ndërsa Britania dhe vendet e tjera perëndimore e forcojnë zinxhirin gjithmonë e më shumë në këtë periudhë, nga fundi i adoleshencës e deri në universitet e më pas, ne aty na këputet zinxhiri i fortë. E jo pse është holluar, por sepse dikush ia fut me çekiç në mes.