Reportazhi i gjermanëve: Si po shkatërrohet riviera shqiptare. Një bregdet me beton
Para disa kohësh, një media austriake e pyeti kryeministrin Sali Berisha se përse nuk vijnë në Shqipëri gjermanët e austriakët, një potencial i jashtëzakonshëm për turizmin mesdhetar. Kryeministri tha se nuk është bërë puna e duhur për reklamimin e Shqipërisë. Tani që Lonely Planet e ka renditur vendin tonë si destinacionin e parë turistik, kurioziteti është shtuar. Një reportazh i agjencisë së njohur gjermane, DPA, përgatitur nga Birgit Ulrish, po qarkullon thuajse në gjitha mediat e mëdha gjermane online, që nga Spiegel, Welt e Hamburger Abendblatt. Ulrish, e cila ka shkruar edhe reportazhe të tjera për vendin tonë, udhëton në rivierën shqiptare për të parë sa e vërtetë është ajo që shkruan Lonely Planet. Një bregdet prej betoni thuhet në titullin e reportazhit të tij. Më poshtë nëntitulli thekson se riviera po pushtohet nga betoni dhe vija e parë e plazhit tani nuk është dhe aq atraktive. Por interesante mbetet një vijë e dytë e plazhit.
Dirku e kishte imagjinuar krejt ndryshe rivierën shqiptare. Plazhet e virgjra me rërë të bardhë e me fshatra peshkatarësh idilikë nuk ekzistojnë. Kudo ku është e mundur gjenden gjurmë betoni të hoteleve në ndërtim, mundësisht direkt në ujë, thotë ky backpacker. Së bashku me të dashurën ai ishte joshur nga një ftesë e Lonely Planet, e nis shkrimin Ulrish.
Ajo thotë se numri i turistëve është dyfishuar që nga viti 2008. Pushuesit janë nga Kosova, Maqedonia, por ka edhe nga Italia e Greqia. Por betoni po pushton pushtetin nga Vlora deri në Himarë. Në Sarandë, sipas Ulrish, gjendja është më dëshpëruese. Makinat e betonit enden në rrugë çdo orë. Çdo ditë ngrihet nga një godinë e zbërdhulët prej betoni, thotë Ulrish, që i përshkruan cilësinë e arkitekturën e tyre me godinat e modelit sovjetik. Ajo interviston një inxhinier ndërtimi, që thotë se ka hotele që nuk janë prenotuar kurrë, por rrinë me shpresën se një ditë do vijnë turistët. Sipas tij, ndërtohet pa asnjë plan, ku të mundet. Autoritetet nuk janë në gjendje që të ndalojnë këto ndërtime në kohë, thotë inxhinieri. Dhe kur mësojnë për të, shkojnë dhe e prishin duke krijuar një panoramë të zymtë shkatërrimesh.
Megjithatë, thotë gazetarja gjermane, disa sipërmarrës të rinj e të vegjël po tentojnë të shpëtojnë atë që është për tu shpëtuar, duke ofruar disa metoda interesante dhe karakteristike pushimi e argëtimi.