SHKP: 11 mijë punësime për punëkërkuesit e regjistruar
Për vitin 2009 Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka nisur hartimin e katër programeve që nxisin punësimin e punëkërkuesve të regjistruar në zyrat e punësimit
Shërbimi Kombëtar i Punësimit për vitin 2009 parashikon realizimin e 11 mijë ndërmjetësimeve punësimi për punëkërkuesit e regjistruar në zyrat e punësimit. Kjo drejtori ka nisur të zbatojë katër programe të nxitjes së punësimit për gratë dhe vajzat e papuna, studentët, të papunët në vështirësi dhe të padiplomuarit. Mirela Marto, drejtore e Drejtorisë së Punësimit në SHKP, tha se “programet në vlerën e 200 milionë lekëve nga buxheti i shtetit shkojnë paralelisht me strategjinë e punësimit dhe formimit profesional, në funksion të luftës kundër papunësisë dhe të balancimit të nivelit social”.
Punësimi
“Është menduar që për këtë vit fondet për programet e nxitjes së punësimit të përdoren me efektivitet, atje ku plaga e papunësisë dhe mundësia për vendet e reja të punës është shumë e kufizuar”, - u shpreh Marto. Për zbatimin e katër programeve të formimit profesional, SHKP-ja u ka kërkuar të gjitha drejtorive rajonale të punësimit që të paraqesin kërkesat e tyre për të tërhequr fonde për realizimin e programeve të punësimit. Sipas saj, programi i nisur në 2007, "Praktikat profesionale për të rinjtë që kanë mbaruar arsimin e lartë", këtë vit do të mbështesë rreth 400 studentë në vend, nga 150 që u trajtuan në 2008-n.
“Jemi të angazhuar që përmes mbështetjes me fonde nga buxheti i shtetit dhe nga biznesi, të krijojmë mundësinë e edukimit dhe praktikimit të të rinjve në ato përmasa cilësie që ka nevojë tregu i punës”, - tha Marto, sipas të cilës, zyrat rajonale të punës apo agjencitë e punësimit do të kthehen në agjentë të punësimit në vend, duke njohur tregun e punës dhe duke krijuar bashkë me biznesin të gjitha hapësirat që të rritet niveli i punësimit.
Programet
Programet e punësimit do të shtrihen në Tiranë, Durrës, Berat, Devoll, Fier, Korçë, Laç, Lezhë, Vlorë, Shkodër, Pogradec, Mat dhe Mirditë. “Programi i nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë dhe i nxitjes së punësimit nëpërmjet formimit në punë parashikon që të përfshijë dhe punëkërkuesit e papunë që janë në vështirësi, si kurse janë shtresat vulnerabël të shoqërisë, kategoria që paguhet me “ndihmë ekonomike”, me pagën e papunësisë, njerëzit me “aftësi të kufizuara”, romë etj. Nga analiza e tregut të punës në Shqipëri, vërehet se në listën e punëkërkuesve të regjistruar në zyrat e punës, përqindjen më të lartë të tyre e zënë persona me kualifikim të ulët ose pa kualifikim, gjë që e bën të vështirë integrimin e tyre në tregun e punës dhe përshtatjen me kërkesat në rritje të tij për punëtorë të specializuar. Nisur nga ky fakt, një nga objektivat e Ministrisë së Punës dhe zyrave të punës për vitin 2009 është kualifikimi i këtyre të papunëve, në përputhje me kërkesat e tregut të punës. Ndërsa “Programi i nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë, femra", që zgjat tre vjet (2007-2009), edhe këtë vit do të mbështesë gratë dhe vajzat e kategorisë në nevojë.